Për heronjtë
Vlora Çitaku
Ata nuk janë më. Shumë prej tyre i kam parë dhe u kam shkuar hap pas hapi gjatë viteve 98-99 si gazetare e re. Njërin prej tyre e kam pasë dajë. Më të mirin. Ai ra më 7 gusht 1998. Plumbin e kishte marrë në ballë.
Nuk ka vdekje më të mirë për një ushtar më patë thënë nëna. Ishte luftë dhe kurrë nuk e kemi qarë si duhet. Zaten, po e them me rrezikun të tingëllojë patetike, po as ai nuk e ka dashtë vajin kurrë. E mbaj mend si fëmijë mësimet e para për heronjtë i kam marrë nga Ai. Mësimet e para për historinë i kam marrë nga Ai. Historitë për Skënderbeun, Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Isë Boletinin e Shaban Polluzhën mi tregonte teksa tymoste pafundësisht cigare. E ka pas ves duhanin, po si me shaka gjithmonë thoshte se vdekjen nuk do ta ketë nga ai. I mbaj mend edhe bisedat që arrija t’i përgjoja si fëmijë, të pëshpëritura në mes tij dhe nënës. Nuk ka liri pa luftë, thoshte gjithmonë duke kontestuar besimin apo më mirë thënë dëshirën e nënës për ta fituar lirinë pa luftë e pa humbje.
Vetëm pasi na la, shokët e tij na treguan që Ai kishte qenë që nga fillimi i përfshirë në luftën tonë, që nga faza e lëvizjeve klandestine. Pra, krejt ato që thoshte në netët e gjata pranë koftorit nuk ishin profeci, po besim, reflektim i asaj për të cilën Ai punonte çdo ditë.
Sot gruaja dhe fëmijët e tij jetojnë me një banesë të vogël në Prishtinë. Fill pas lufte, ne, familjarët e tij, mblodhëm paratë për t’ua blerë një copë strehë gruas dhe fëmijëve të tij. Të jem e sinqertë, përderisa kam parë gruan e dajës të punojë çdo ditë për të mbajtur familjen në atë banesë të vogël në Prishtinë, jo rrallëherë jam mllefosur me përdhosjen që po i bënin lirisë disa të tjerë që ishin turrë kah mbledhja e pamëshirshme e pasurisë. Në emër të luftës normalisht. Kam parë disa të tjerë të materializojnë luftën e tyre duke e kthyer në shtëpi, prona e para. Dhe kam parë shumë të tjerë që asnjëherë asgjë për luftën nuk kanë bërë, e më vonë kanë pasur gojën mbushur me vetëlavdërim dhe të përfitojnë në emër të luftës së shenjtë.
Por asgjë nga keqpërdorimet nuk barazohet me kulmin që u arrit këto ditë me regjistrimin e veteranëve të luftës. Regjistrimi paraqet relativizim të luftës dhe heroizmit të dajës tim dhe shokëve e shoqeve të tij që janë në amshim. Po – e vërtetë – të gjithë qytetarët e Kosovës janë hisedarë në lirinë dhe pavarësinë që gëzojmë sot.
Po – secili prej nesh ka dhënë ndonjë kontribut që mund të konsiderohet si kontribut i pazëvendësueshëm. Prindërit e mi dhe kolegët e tyre që me dekada mësuan gjeneratat pa asnjë kompensim, mjekët që na shëruan plagët, artistët që na e mbajtën shpirtin gjallë, të gjithë, të gjithë pa përjashtim janë hisedarë në lirinë që kemi sot. Ama jo të gjithë kemi qenë ushtarë me pushkë në dorë. Jo të gjithë kemi ofruar jetën në altarin e lirisë. Gjithsesi jo 50,000. Thjesht kjo nuk është e vërtetë. Ligji për veteranët e UÇK-së nuk është ligj përmes së cilit nderohen gjeneratat dhe individët që historikisht kontribuuan për liri. Ky ligj është vetëm për bashkëluftëtarët e dajës Tim, për ata që dhanë kontributin kulmor. T’ua ruajmë pak nderin dhe krenarinë.
(E shkruar dhe publikuar më 15 prill 2013)