Për Jeffin, Fadilin dhe “Një letër për Xhevdet Bajrajn”
Agron Shala
– Parathënia për librin e ri të poetit Jeff Weddle, Një letër për Xhevdet Bajrajn, përkthyer nga Fadil Bajraj (botim i SabaiumBB, 2024) –
Me poezinë e Jeff Weddleit jam njohur nga Fadil Bajraj. “Lexoje, shpresoj të të pëlqejë”, më ka thënë kur për herë të parë ma dërgoi një poezi të tij për ta botuar te Telegrafi. Por, si me përvojat e dikurshme me rubrikën Oaza të Javores “Zëri” ku unë dikur punoja, rubrikë kjo e cila ngjallte kureshtjen time për të mësuar më shumë për poetët e përkthyer nga Fadili – për të parë dhe mësuar përtej edukimit që ofronte shkollimi dhe botuesit në Kosovë – rritej dëshira për të lexuar më shumë nga ky poet. Fatmirësisht, dita-ditës shtoheshin përkthimet e Fadilit dhe shumë shpejt doli përmbledhja e parë në gjuhën shqipe me poezi të Jeffit, botim i Shtëpisë Botuese Sabaiumbb, Vritmë nëse ke koqe (2023). Përmes kësaj vepre mësova për frymëzimet letrare të Jeffit, për konceptin e tij për kulturën, subkulturën dhe kundërkulturën amerikane, për ndikimin e bitëve tek ai, për reflektimet mbi jetën dhe vdekjen, dashurinë, humbjen, bukurinë dhe shpresën, për përvojat personale dhe kolektive, për surrealen e ndërthurur me përditshmërinë, për momentet absurde, për të margjinalizuarit dhe për empatinë për njerëzimin, për gjendjen e njeriut dhe ngatërresat në marrëdhëniet njerëzore të cilat që të gjitha zbërtheheshin nga mendimi i thellë dhe kreativ, nga gjuha dhe nga mendimi i saktë. Mesazhi i tij ishte universal, fliste për secilin nga ne, të rëndomtët, dhe për sfidat ekzistenciale që karakterizojnë njeriun e ditëve të sotme në shoqëritë anembanë globit. Gjëja tjetër që mësova për të ishte sinqeriteti dhe modestia. Bëhesh mik me të në rrjetet sociale, reagon ndaj postimeve tua sepse të respekton se je mik i Fadilit dhe mbi të gjitha lexues. Nuk është profesor që shet autoritet dhe aq më pak poza, e këtë e vëren secili kur nuk e gjen një foto “të mirë” të tij që “përshtatet” me formatin e mediave elektronike për t’ia “ilustruar” poezitë. Sokrati ka thënë se shkrimi do të atrofizojë kujtimet e njerëzve dhe se njohuritë e vërteta mund të përcillen vetëm gojarisht, jo përmes shkrimit. Jeffi sikur thotë se për të rëndësi kanë tablotë që ofron përmes vargjeve; se, siç ka thënë Akira Kurosawa, imazhet letrare duhet të shprehen në mënyrë tjetër apo se – si Krzysztof Kieślowski i cili nuk i përfundonte filmat e vet, porse si version “final” të veprave të tij pranonte çdo interpretim nga çdo shikues – portreti i tij është ai për çfarë ai shkruan dhe se e pranon versionin “final” të çdo lexuesi.
Kohë më parë, Fadili më kërkoi të shkruaj ca fjalë për veprën e re me poezi të Jeffit, Një letër për Xhevdet Bajrajn (Sabaiumbb), e cila do të botohet edhe në anglisht në ShBA. Për të ma lehtësuar punën, më tha: “Shkruajë siç ti e ndien”. Kur e lexova për herë të parë veprën, gjëja e parë që i thash Fadilit është kjo: “E ndiej si një udhëtim, me shumë ndalesa në kohë dhe në hapësirë, ku Jeffi ulet pranë dhe rrëfen”. Dhe, kështu nisa të krijoj tablonë për Jeffin, ashtu siç e ndieja këtë vëllim të poezive.
Në një ese për kohën, Jorge Luis Borges përmend Platonin i cili ka thënë: “Ka tri kohë, të tria janë të tashme. Njëra është e tashmja aktuale, momenti kur unë flas, domethënë momenti kur unë kam folur, sepse ky moment tashmë i përket të shkuarës. Pastaj është një tjetër e tashme, e tashmja e së shkuarës të cilën e quajnë kujtesë. E treta është e tashmja e së ardhmes e që në njëfarë mënyre është ajo gjë që mendoj, shpresa ose frika jonë”. Ndërkaq, në një fjalim në Universitetin e Belgranos, Borgesi ka thënë se kur e lexojmë një libër të vjetër, është sikur të lexojmë kohën që ka kaluar. Në këtë rast kemi një vepër të re, por e cila reflekton kohën të cilën Jeffi e ka kaluar. Një letër për Xhevdet Bajrajn (vëllim me 102 poezi), është ftesë për udhëtim në kohë. Por, kjo kohë rrjedh sipas konceptit ajnshtanian: është relative. Është e mbushur me përvojë, me kujtime dhe reflektime aktuale për të sotmen dhe të nesërmen. Nuk ka vija ndarëse mes të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes. Në këtë udhëtim ndeshet pafajësia fëmijërore me ndërlikimet e moshës madhore, ëndrra dhe realiteti, veprimi dhe vëzhgimi … aty e sheh veten dhe njerëzit që njeh, paçka që kanë emra të tjerë dhe jetojnë në një hapësirë dhe zonë tjetër kohore.
Kur e lexon këtë vepër, mund të të duket si reportazh i gonzo-gazetarisë, ku Jeffi si personazh kryesor shpërfaq anën e vet personale, emocionet dhe komenton për gjërat që sheh dhe përjeton. Ngjan edhe me udhëtimin e Jack Kerouacut dhe eksplorimin e tij të identitetit; ngjan po ashtu me rrugëtimin në Kaliforni të Roger Watersit, përvojë kjo që e frymëzoi atë për albumin The Pros and Cons of Hitch Hiking ku autostopi është metaforë për gjërat e paparashikuara jetësore dhe për zgjedhjet që bëjmë. E përmenda këtë album, sepse teksa e lexoja veprën e Jeffit, në mendje kisha atë muzikë, zemërimin e Watersit dhe solot e Eric Claptonit. Por, derisa protagonisti i Watersit, alter egoja e tij lufton me pasiguritë, me paranojën, me frikën ekzistenciale dhe kërkimin e kuptimit përmes momenteve të papritura, Jeffi bën një udhëtim tjetër: reflekton, rebelohet për të gjitha gjërat që janë të gabuara (Qethja), endet në kujtime (Koha është një formë e gravitetit) dhe nëpër mësimet që ka marrë nga jeta. E, teksa Watersi flet nga komoditeti i kultit të famës, Jeffi ka qasje oruelliane sepse shkruan për atë që ka përjetuar si njeri i rëndomtë i cili shkruan meqë thjesht ndien se duhet të shkruajë, për të pasqyruar përjetimin, assesi jo sepse pas çdo vepre të re vjen një turmë të cilën ti pretendon se mund ta udhëzosh si guru. Dhe, Jeffi nuk i imponohet askujt, aq më pak i nënshtrohet dikujt – pos vetvetes dhe asaj që ndien. Nëse motoja e bitëve ishte Mendimi i parë, mendimi më i mirë, që në një mënyrë do të thotë të mos kesh frikë për të vërtetën që lind nga përvoja, Jeffi sikur e perifrazon dhe plotëson kuptimin: Sinqeriteti dhe thjeshtësia, mendimi më i mirë. E, sinqeriteti i tij vërehet në të dhënat biografike të cilat janë publike. Para se të bëhej profesor në Universitetin e Alabamas, punoi si bibliotekar, si disk-xhokej, si reporter, si projeksionist i filmave, si fërgues i ushqimit të shpejtë, si trajner i tekvondosë … Kjo është shkolla e tij jetësore; kjo është biografia që ka çdo krijues në vendet ku vetëm konkurrenca filtron vlerat, ndërsa posti i profesorit nuk është puna e parë e paguar në jetë.
Në këtë vepër Jeffi flet për veten, thotë se jam më i mirë se disa, aq i mirë sa kam mundësi të jem (Kështu ishte); flet për disa njerëz të trentë, disa të goditur nga gjenialiteti i çuditshëm, disa thjesht të çmendur, miq, shushunja dhe bile edhe armiq në historira që ta këpusin shpirtin që unë as fillimin nuk ua kuptoj (Rrugë tjetër); flet për një kohë kur tregimet nënkuptonin fuqi dhe kur kjo nënkuptonte t’i përkisje një mendjeje tjetër (Dikur); flet për dështimet, meqë shumica prej nesh vazhdimisht zënë në thua (Vajzë e pikëlluar); flet për tjetërsimin, për kohën kur personat e shquar kanë një kuptim tjetër tash (Detare); për harresën kur shuhet gjaku i vjetër Çeroki i brezave i humbur (E shkëputur, lirike); për bukurinë që tretet, për pamjen në një fotografi të njëqind viteve më parë kur ti ishe e bukur për aq sa lejonte bota (Kapur në bardhë e zi); për kohën ku nuk ka kufi ndërmjet tash dhe gjithmonë (Mënyra se si mund të emërtoni nuk është mënyrë); për profecionë uarholiane për pesëmbëdhjetë minutat e famës, ku e ardhmja është këtu dhe po rezulton se të gjithë janë të famshëm për pesëmbëdhjetë persona (Njëfarë urtaku); për bindjen, sistemin edukues dhe ata që na kanë mësuar të pranojmë gjithçka (Mizoria është thelbi); për momentet e humbura, çastet kishlovskiane që të drejtuan diku tjetër dhe këmbët që nuk shkuan kurrë atje ku donin të shkonin (Në kujtim të një gruaje që nuk e kam njohur kurrë); për lodrat dhe ëndrrat e fëmijërisë (Heroi); për klerikët dhe besimtarët e rrejshëm, për ata që më zë të lartë i frikësohen Zotit dhe për ata që i duan njerëzit në heshtje, e ku të parët me të dytët dallojnë shumë, bash si muti dhe rrezet e diellit (Ungjillore); për fuqinë e kinemasë (Papritur, përbindëshi me tri koka fluturoi) dhe shpresat për shpëtim edhe atëherë kur filmat pushuan së qeni të vërtetë (Nga byroja e të vërtetës së harruar); për temat biblike dhe mundësitë reale (Ndonjëherë është më mirë të vazhdosh); për dilemat kur je si shkaku ashtu edhe pasoja dhe ti nuk ke zgjidhje tjetër veçse të jesh plumbi dhe plaga (Asgjë që mund të bësh e që nuk mund të bëhet); për zgjedhjet dhe imagjinatën si strehë (Ka të afërm); për vlerat e rrejshme (Si të përcaktoni se ia vlen shkrimi) dhe për imponimet (Dëgjomë tash); për bombardimet me informata (Tash film kryesor); për të këqijat që sjell sundimi i halabakave (Muzikologjia); për krahun e tij të fortë, bashkëshorten Jill (Kur të bëhem gjashtëdhjetë e katër vjeç); për poetët Jean Cocteau, Lyn Lifshin, Richard Brautigan, Al Winans, Ann Sexton, Tom Waits, Gregory Corso, Sylvia Plath, Xhevdet Bajraj dhe kritikët e rrejshëm (Ç’të them) dhe për vrasjen e poetit (Do të vijë koha); për fytyrat e harruara nga skenat e harruara (Një fytyrë në turmë); për Kosovën që ka ëndrrat e tij, sepse ka poezitë e tij (Një librari në Prishtinë) …
Në çdo poezi të tij shpaloset një kapitull i ri, si ndalesë në kohë dhe hapësirë ku ai mësoi diçka të re dhe atë përvojë e ndan me ty si mik, si lexues. Ndalesat janë të ndryshme. Diku në sfond mund të dëgjohet kamionisti që bërtet “Hej, ndale atë xhuboks të mallkuar” në fillim të këngës Sytë e çdo të panjohuri, apo kitara e Claptonit te Revolucioni seksual nga koha kur Watersi ishte njëri nga ne dhe merrej me problemet e rëndomtëve, ndryshe nga kjo botë që më në fund i urren të përkëdhelurit e vet (Gjithmonë). Diku tjetër biseda ndalet te poeti i madh shqiptar, Xhevdet Bajraj, dhe disa nga vargjet të cilën ai ia ka kushtuar:
Çfarë gjasash kishin, këta vëllezër
në një vend të sakatuar
secili prej tyre i përmbytur me poezi?
Muzat do të kenë fushuar
në oborrin e prindërve tuaj
kur ju djema ishit foshnje.
Ato duhet t’u kenë dhënë djemve Bajraj
bekimin e tyre kozmik.
Ama seriozisht, Xhevdet,
Ti ishe poet i hatashëm
prandaj bota është një vend më i mirë
sepse ti ishe këtu.
Është kjo një poezi e përzemërt, një dedikim i thellë personal. Poezia me ton të natyrshëm dhe adresim të drejtpërdrejtë (“Dëgjo, Xhevdet”) e krijon një ndjesi afërsie dhe njohjeje, edhe pse Jeffi kurrë nuk e kishte takuar fizikisht Xhevdetin. Pyetja që ndërlidhet me mirëqenien (“Dua të di si po kalon”) nënvizon dëshirën e tij për një lidhje dhe kjo përforcohet nga njohja me Fadilin. Jeffi pohon se bota është një vend më i mirë për shkak të talentit dhe krijimtarisë poetike të Xhevdetit, për shkak të kontributit të tij në botën e poezisë, ndërsa thekson se krijimtaria dhe pasioni për poezinë i vëllezërve Bajraj ishin të destinuara që në lindje. Rreshtat përmbyllës ku i kërkon Xhevdetit “të ruajë Fadilin” sepse “Atij i mungon”, ia shtojnë poezisë një shtresën emocionale që shërben si lutje për mbrojtje të vazhdueshme shpirtërore, duke përforcuar idenë se lidhja midis vëllezërve Bajraj kapërcen ekzistencën fizike. Përzgjedhja e titullit të poezisë si titull libri, reflekton po ashtu dëshirën e Jeffit për një botë më të mirë, më të shëndetshme dhe më njerëzore.
Fadili ka bërë mirë që këtë poezi në këtë libër e ka lënë edhe në anglisht, për të kuptuar se si versioni i përkthyer rezonon me audiencën e synuar shqiptare ashtu siç bën origjinali me audiencën anglofone. Dhe, kjo vlen për të gjitha poezitë e tjera në këtë vepër.
Studiuesi Werner Menapace ka thënë se çdo përkthim është aventurë më vete, është tokë e palëvruar. Përkthimi është lojë; është një lloj fjalëkryqi. Çdo poezi, çdo fragment është fjalëkryq – sipas skemës së autorit. Detyra e atij që përkthen duhet të jetë këmbëngulja që çdo fjalë, që çdo morfemë të jetë në vendin e vet, derisa skema të jetë e plotë. Menapace citon Burhart Kroeberin që ka thënë se përkthyesi duhet t’i bëhet krah autorit, të bëjë lojën e tij, të ndjek qëllimin, skicën dhe strategjinë e tij.
Fadil Bajraj i bëhet krah autorit meqë është jo vetëm njëri prej përkthyesve më të njohur shqiptarë nga gjuha angleze, por edhe kërkues dhe studiues i madh. E, përkthyesi shkodran, Gjon Shllaku, ka thënë se përkthyesit e mirë janë të paktë. Sipas Shllakut, nëse për të qenë shkrimtar i mirë nuk është e nevojshme të jesh magazinë kulturore, “me u ba përkthyes lypset të kesh shumë kulturë”. Në fakt, Fadili është magazinë e kulturës; është magazinë e poezisë. Dhe, është pasqyrë për rolin pozitiv që përkthyesi duhet ta ketë në një shoqëri. Sepse, Gutenbergu jo vetëm që e bëri më të lehtë qasjen ndaj librit, por mbi të gjitha e shtoi komunikimin mes popujve, e çoi para njerëzimin duke i bartur idetë shkencore dhe konceptet dhe vlerat artistike nga njëri popull te tjetri – falë përkthyesve.
Këtë qëllim kishte dhe ka edhe Fadili. Por, për dallim nga shumë të tjerë që përkthenin diçka veçse këtë e kanë bërë popujt e tjerë fqinj, Fadili e bënte atë që ndiente se duhej bërë: kërkimin përtej kërkesave të shtëpive botuese apo të shijeve të turmës, duke qenë vetë rrjedha.
Prandaj, nuk është çudi nëse në vitet 1970-’80, shumëkush në familjen dhe miqtë e Bajrajve në Rahovec dhe Panorc kanë uruar të porsalindurit: mos u bëftë si Fadili. “Është e vërtetë, këtë edhe sot e thonë”, më thotë Fadili kur e pyes. Në vitet kur krijohet mërgata e Kosovës, Perëndimin e mësynë edhe ai. Por, me qëllime krejt të tjera: për muzikë dhe literaturë, për të shkuar në koncertet e grupeve më të mëdha të rokut, për të vizituar varrin e Jim Morrisonit dhe vendet ku rrinin poetët e tij të preferuar. Vishte xhinse (shpeshherë të shqyera e me raste të arnuara), “vietnamkën”, “tojat” i kishte në duar, jelekun e mbushur me simbole “kapitaliste”, çizmet ushtarake, atletet “allstarka”, flokët e gjata e syzet “llenonka” … si hipik, si “imperialist”, si “revizionist”, si “çorod”! Kurrë nuk kthehej me para në shtëpi! Me vete sillte vetëm libra dhe disqe gramafoni. Kjo nuk i pengonte aq shumë babait të tij që ishte kryetar i Rahovecit e më vonë i Malishevës (Xhemajli Bajraj, po ashtu nënshkrues i Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990), por të tjerëve të cilët nuk kuptonin se njeriu duhet t’i ngjajë kohës. Nuk e kuptonin ata për të cilët Fadili ishte antihero i cili, sipas një definicioni, nuk e kishte guximin për të promovuar vlerat e moralit dhe të ideologjisë së shumicës. Epo, shumë mirë që i ka munguar ai “guxim”. Dhe, shumë më mirë që e kishte një tjetër guxim, më të duhur, për të qenë vetja, për të thyer stereotipat provincialë e banalë të Kosovës, për të pshurrur në to siç i pshurri studimet mu te dera e fakultetit – në pikë të ditës.
Kur i shkruaj këto fjalë për Fadilin, më bie ndërmend interpretimi i Andrei Tarkovskyt për Hamletin e Shekspirit – për të cilin mendoj se është interpretimi më i mirë – ku thotë se askush nuk ka ditur ta lexojë si duhet. Sipas tij, Hamleti lufton për një ide; ai nuk mund të bëhet qytetar vulgar e të pranojë gjithçka që e rrethon. Ai është konflikti i një njeriu të së ardhmes me të tashmen. Ai e kapërceu intelektualisht epokën e vet, por ishte i detyruar të jetonte në mesin e bashkëkohësve fizikë. Kështu, është e pamundur të ndryshosh diçka kur njeriu e kapërcen kohën në të cilën jeton.
Pra, ka një pengesë për Fadilin. Regjisori koreanojugor Bong Joon-ho ka thënë “se sapo të kapërcesh pengesën një inç të lartë të titrave, do të njiheni me shumë filma të mrekullueshëm”. Këtë pengesë e kaloi platforma Netflix. Fadili vazhdon të luftojë me pengesa – me konformizmin, me bindjen ndaj autoritetit, me turmat, me shoqërinë mospërfillëse. Gjithnjë bën me dije se sapo ta kuptojmë se jeta është kërkim edhe përtej shkollës, do të njiheni me shumë poetë të mrekullueshëm, të të gjitha kombeve, qofshin ata klasikë, modernistë, bitë, rokerë … Këtë mesazh ai ua ka përçuar jo vetëm shqiptarëve, por shumë popujve të tjerë përmes poetëve shqiptarë që i ka përkthyer në gjuhën angleze apo serbokroate. Në këtë aspekt ai ka punuar më mirë e më shumë se plot institucione të Kosovës.
Për fund, do të ndalem sërish te roli i përkthyesit. Përkthyesi duhet të perceptohet si krijues. E, krijuesit i duhet liria e veprimit. Kur ajo liri mungon, kur sistemi imponon bindjen apo kur përkthimin detyrohet ta përdor si mjet politik, atëherë ndodhin shtrembërimet. Rast të tillë paraqet përkthimi i Walt Whitmanit nga Skënder Luarasi në vitet 1950. Vepra Fije bari [Leaves of Grass] vjen e cunguar, shmang pjesët erotike dhe shpirtërore, ndërsa autori paraqitet si poet politik. Jeta rebele i Whitmanit, e babait të vargut të lirë – që frymëzoi bitët – perceptohej disi si luftë e klasave. Në regjim opresiv ka jetuar edhe Fadili. Por, që nga vitet 1970, kur si i ri ai e sfidoi veten me përkthimin, ai nuk u nënshtrua; e shihte botën shumë më ndryshe se iluzionet e imponuara të regjimit komunist. Porosiste libra nga jashtë, komunikonte me bitët, siç komunikon edhe sot me poetë anembanë globit (në një letër, Lawrence Ferlinghetti i ka shkruar: “Faleminderit përsëri për gjithçka që ke bërë për ne Atje”) … Ishte përtej projektimit të modeleve që duhet ndjekur. Ishte rebel dhe e përfaqësonte rebelimin. Whitmanin dhe Fëmijët e Whitmanit i paraqiti ashtu siç janë, assesi jo siç do të donte regjimi apo rrethi shoqëror.
Për ta përmbyllur këtë pjesë për përkthimin, do ta citoj njërin prej teoricienëve më të mirë të teorisë së përkthimit, André Lefevere, i cili i klasifikon përkthyesit në konservatorë dhe shpirtërorë. Përkthyesi konservator punon në nivelin e fjalës dhe të fjalisë, ndërsa përkthyesi “shpirtëror” punon në nivelin e kulturës si tërësi dhe e vendos tekstin në funksion të kësaj kulture. Fadili është bashkëdyzim i të dy këtyre qasjeve. Dhe, kjo vërehet edhe në veprën Një letër për Xhevdet Bajrajn ku jo vetëm tejkalohen boshllëqet gjuhësore midis shoqërisë shqiptare dhe asaj amerikane, por përafrohen nuancat dhe kontekstet kulturore. Prandaj, Jeffi udhëton edhe në Kosovë, bën një ndalesë këtu dhe na flet. E, fjalët e tij vlen të dëgjohen.