Për katër muaj mbi 5 000 persona kërkuan trajtim në Psikiatri
Vetëm 13 shtretër janë të lirë nga 65 sa është totali i shtretërve në dispozicion për pacientë në Klinikën e Psikiatrisë.
Mbi 5 mijë e 400 persona vetëm gjatë këtyre muajve të parë të 2024-es kanë kërkuar shërbime psikiatrike, e që nuk janë shtrirë në këtë klinikë.
Gjithsej, 210 persona kanë qenë të hospitalizuar gjatë këtyre muajve në Psikiatri.
Kështu ka bërë të ditur për Front Online drejtori i Klinikës së Psikiatrisë, Faton Kutllovci.
“Momentalisht në klinikë janë të hospitalizuar 52 pacientë nga 65 shtretër sa është numri aty. Sa i përket vitit 2024 nga të gjitha shërbimet del se janë 210 persona që kanë marr shërbime spitalore, do me thënë janë hospitalizuar, janë shtrirë në klinikë dhe prej saj 3751 prej trajtimit duke marr në konsideratë numrin e gjithmbarshëm e ditëve të trajtimit nga këta 210 persona të cilët janë trajtuar në klinikë e që llogaritet varësisht nga kohëzgjatja, qëllimit për të cilin janë trajtuar. Ndërsa persona që kanë kërkuar shërbime psikiatrike, por që nuk janë shtrirë në klinikë në vitin 2024 kanë qenë 5465 persona”, njoftoi Kutllovci.
Ngritje kanë shënuar shërbimet ambulatore në Psikiatri, ndërsa rastet hospitalore janë të njëjta me vitin paraprak, thotë Kutllovci.
“Në vitin 2024 shërbimet ambulatore kanë shënuar rritje për 30-40% më i madh i shërbimeve ambulatore se sa atyre hospitalore, numri i rasteve hospitalore është pothuajse i njëjtë me atë të vitit 2023”, tha Kutllovci
Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë ka bërë të ditur se moshat që kërkojnë më shumë trajtime në këtë klinikë janë 20-40 vjeç , zakonisht me ankth dhe depresion.
Ndërsa, dominon mosha 12-13 vjeç që abuzojnë me substanca psiko-aktive dhe droga të ndryshme, tregon Kutllovci.
Kutllovci tregon se është në rritje numri i personave që përdorin droga të ndryshme e që kërkojnë të trajtohen.
“Personat që më së shumti kërkojnë trajtim janë moshat 40-45 vjet, kjo determinohet edhe nga lloji i shërbimeve ose çrregullimeve psikike me të cilat ballafaqohen. Në çrregullimet neurotike ku bën pjesë, ankthi, depresioni, çrregullimi i personalitetit janë kryesisht mosha të reja 20-40 vjeç, ndërsa ajo që bie në sy është numri i atyre që abuzojnë me substanca psiko-aktive e që është në rritje numri i tyre që abuzojnë me këto substanca por është duke rënë mosha, ndërsa dominon mosha 12-13 vjet kur të rinjtë fillojnë te abuzojnë me substanca psiko-aktive, apo me droga të ndryshme”, tregoi Kutllovci.
Probleme me ankth dhe depresion, janë rastet më të shpeshta të pacientëve që po kërkojnë trajtim në Klinikën e Psikiatrisë.
Kutllovci deklaron se numri i shërbimeve ambulatore ka shënuar ngritje.
Ai tregon se cila ka qenë arsyeja që më herët qytetarët s’kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
“Dominon skizofrenia dhe problemet me të, numri më i madh i persona që kërkojnë ndihmë në klinikë janë për problemet me ankthin, depresionin dhe çrregullime të ngjashme me to. Më parë ka qenë stigmamtizimi që ka ndaluar qytetarët të kërkojnë ndihmë ndërsa kjo tashmë ka rënë dhe qytetarët po marrin trajtim psikiatrik dhe për këtë është rritur numri i shërbimeve ambullantore”, theksoi Kutllovci.