Për këto tema biseduan Haradinaj e Ahmeti
Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, priti në takim të martën kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn, ku diskutuan çështjet e interesit të përbashkët mes Komunës dhe Qeverisë.
Në takime të tilla, ku morën pjesë edhe drejtorët e ministrat, janë shtjelluar probleme konkrete të qytetarëve të cilat mund të zgjidhen bashkërisht.
“U bisedua për tema si Ligji për Prishtinën; bartja e Pallatit të Rinisë në pronësi të Komunës; Unaza e Qytetit; kogjenerimin e Termokosit dhe tema të tjera”, është thënë në njoftimin e komunës së Prishtinës.
Po ashtu, përfaqësuesit e Komunës dhe Qeverisë dakorduan për krijimin e një Task Force për zhvendosjen e një pjese të administratës shtetërore në periferi të qytetit, duke filluar nga largimi i ATK-së, ashtu që atë objekt ta shfrytëzojmë si sallë koncertale apo pallat të operës.
Theks të veçantë në këtë takim kishte angazhimi për ngritjen e cilësisë në arsim, duke e lehtësuar punën edhe përmes udhëzimeve të reja administrative.