PËR LETRAT E ROBIT NË DUAR TË NJERËZVE, TË ENGJËJVE DHE TË ZOTIT
Meqenëse nuk ju duhet udhëzim tjetër për poezinë e tij, udhëtimin në këtë libër, duke bashkëndjerë me poetin që prej fillimit e deri në fund, bëjeni pa ne
ARMAGEDONI
Shkrimtari nga Sllapuzhani, miku im Ragip Sylaj, ka lindur më 1959. Vdiq këtë vit, në vendlindje, në shtëpinë e re të ndërtuar shumë vonë, pranë familjarëve, pa mbushur 59 vjet, me laps e fleta nëpër duar, duke shkruar dhe përmirësuar dorëshkrimin e librit më të ri me poezi, të këtij që mbani në duar, të cilit unë i kam bërë vetëm korrekturë. Nuk kam qenë afër tij që ta shihja teksa bënte përmirësime në të, veçse i kam parë ndërkohë, kur të bijtë e tij ma kanë dërguar dorëshkrimin e tij të shtypur në fleta të printerit. Po të jetonte edhe më, Ragipi ditëlindjen do ta festonte më 25 nëntor të këtij viti dhe do të kënaqej, si për cilindo libër tjetër të vetin të ri që më thoshte se e pret sikur lindjen e fëmijës: Shkrimtarët, edhe unë në mesin e tyre, i presin librat kur dalin nga furra si kur t’u lindin fëmijë. Ç’gëzim!
Datën e lindjes së tij e mbaj mend sepse Ragipi, si për librin që i kam botuar vitin e kaluar, sa ishte gjallë, me titull Kam drojë për ty, për të cilin nga Ministria e Kulturës iu dha çmimi për librin më të mirë me poezi, si për të dytin botuar tash, me titull Letër engjëllit tim mbrojtës, më ka dërguar, të fotografuar, letërnjoftimin e vet, sa për t’i plotësuar dokumentet e nevojshme për autorizim të botimit të veprës së tij, të cilën kërkesë e shpreh Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës në çdo konkurs që shpall për botim të dorëshkrimeve të librave dhe të veprave të autorëve shqiptarë dhe të huaj.
Për t’i botuar këta dy libra Ragipin e kam zgjedhur unë sepse ishte shkrimtar i mirë, ndër më të mirët që ka Kosova, që kanë edhe Shqipëria dhe Maqedonia. Ishte shkrimtar i mirë sepse shpeshherë, nga institucione kulturore, nga ojq dhe klube letrare dhe redaksi mediumesh dhe në manifestime poetike organizuar në Kosovë ka marrë çmimin e parë për poezi, të dytin më rrallë, të tretin më duket se kurrë. Ai nuk ka shkruar sa për t’i marrë këta çmime. Ka shkruar sepse e ka ndjerë të nevojshme të shkruajë për çdo ditë, ashtu siç e kishte të nevojshme, në dy vjetët e fundit, t’i pinte ilaçet për zbutje të dhembjeve të sëmundjes së rëndë, e cila, meqë ishte shumë e vrazhdë dhe bënte me të njëfarë loje herë të jetës e herë tjetër të vdekjes, më 30 korrik e rrëzoi në tokë. Por, jehona e tij është mbi dhe. Është në mesin tonë. Është në libra. Në 17 libra poetikë, prozaikë, dramatikë, eseistikë. Në këta libra:
Hije e gjallë (poezi), Rilindja, 1986
Anatomia e fjalës (poezi), Rilindja, 1989
Obsesioni (tregime), Rilindja, 1992
Lisi i shenjtë (poezi), Fjala, 1993
Përhitja (tregime), Plejada, 1996
Mëngjes qumështor me akull (poezi), Rozafa, 2000
Humbella e fërgëllisë (tregime), Rilindja, 2001
S’kam kohë të jetoj me vdekjen (tregime), Rozafa, 2004
Eliksir (poezi), Rozafa, 2007
Estetika e misterit (ese), Elena Gjika-Dora d’Istria, 2008
Hija e shtëpisë (tregime), Rozafa, 2008
Ma jep dorën (poezi për fëmijë), Rozafa, 2010
Dy drama (drama), Rozafa, 2012
Hiri i fjalës (poezi), De Rada, Ferizaj, 2014
Harmonia estetike (ese), Parnas, 2015
Kam drojë për ty (poezi, ribotim), Armagedoni, 2016.
Letër engjëllit tim mbrojtës është i shtatëmbëdhjeti libër i tij, i cili, nën përkujdesjen e dy djemve të tij, Artit dhe Korabit, po dhe të vëllait të tij, Bujarit, po botohet pas vdekjes së autorit nga Shtëpia Botuese Armagedoni, pas rekomandimit nga Këshilli i Librit i Ministrisë së Kulturës dhe pas vendimit të ministrit Kujtim Gashi për botim të tij. Ragipi nuk e priste këtë përkrahje financiare për botimin e librit sepse ka nisur të botojë shumë herët pa i dhënë mbështetje askush. Ka qenë gjimnazist kur ka filluar të shkruajë poezi, kurse të njëjtat ka filluar t’i botojë në fund të viteve shtatëdhjetë në shtypin ditor dhe në atë periodik. Disa vjet ka punuar mësimdhënës në vendlindje dhe gazetar në Prishtinë në disa media fizike, disa të tjera zyrtar për publikime në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës. Shpeshherë më ka thënë, se për çdo ditë që vjen në Prishtinë nga Suhareka, qoftë me autobus, qoftë me ndonjë veturë të ndonjë vendësi, bashkudhëtare ka poezinë, në të cilën, më shumë se këdo tjetër, ka vizatuar vetveten me fjalë, karakterin, formimin dhe formatin e vet dhe ka zbrazur dëshirat që i pati e që s’mundi t’i realizojë për shkaqe të ndryshme, kryesisht materiale.
Ragipi për të tjerët dhe të tjerët për Ragipin
Ragipi ka shkruar shumë recensione për libra të shumë autorëve, po dhe të tjerët kanë shkruar shumë recensione për librat dhe veprat e tij. Nuk ka shkruar për shkrimtarë kërkusha. Ai ka pasur shije të hollë dhe ka shkruar hollë. E ka ditur peshën dhe rëndësinë e fjalës. Ka ditur ta vlerësojë mirë veprën e mirë dhe të keqen dhe t’u bëjë vend në letërsi. Edhe çdonjëri që ka shkruar për librat e Ragipit ka vënë re kontributin e tij në letërsinë dhe gjuhën shqipe, në të cilat fusha ka sjellë të reja nga semanto dhe leksikostilistika. Poende ka shumë çështje stili të pazbuluara në veprat e tij.
Pos qe ishte shkrimtar i mirë, ai është veçuar edhe njeri i mirë, i këndshëm, i shoqërueshëm, i mbajtjes së fjalës, i përkushtuar për punë dhe për familje. Ato fjalë që i kam dëgjuar nga të tjerët për të, edhe i kam hasur në karakterin e tij gjatë ndejave që kishim në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, në restorantin Edi 2, në Monako e në ndonjë tjetër lokal në Prishtinë. Ky portret i tij prej të njerëzishmit u bë më i dukshëm pas vdekjes së tij, kur shumë miq filluan ta kujtojnë, ta nderojnë, të bëjnë homazhe dhe të botojnë nekrologë për të në mediat fizike dhe në ato elektronike. Me një fjalë, atë lavdërim që nuk ia thoshin në sy, ia thanë pas sysh, në mënyra dhe në mediume të ndryshme, dikush edhe duke i kushtuar poezi.
Thanë dhe shkruan për Ragipin shumë, nga këtu (Kosova) e gjithkund ku ka shqiptarë. Ngushëllime për vdekjen e tij dhe mirënjohje për botimin e veprës së tij më kanë ardhur edhe mua nga shumë shtete të botës nga shumë shqiptarë që e kanë njohur, që kanë lexuar vepër të tij, që kanë lexuar poezi të tij, që kanë lexuar varg të tij, që kanë lexuar fjalë dhe fjali të tij. Megjithatë, nuk janë këta që më kanë motivuar që, punën e Ragipit të lënë në fund të jetës, për botimin e veprës Letër engjëllit tim mbrojtës, ta nxjerr në dritë unë. Është një rast tjetër. Për mua, fort i ndjeshëm.
Me Ragipin pak para lamtumirës
Miqësinë fizike që kisha me Ragipin kohë më përpara, në gjashtë muajt e fundit të jetës së tij e kam vazhduar nëpërmjet Facebook-ut. I përcillnim të fala njëri-tjetrit edhe nëpërmjet të bijve të tij, që të dytë studentë, Artit dhe Korabit, të cilët vinin në Prishtinë që ta merrnin numrin e parë dhe të dytë të revistës Akademia, në të cilën Ragipi ishte prezantuar, në numrin e parë të saj me proza poetike, në numrin e dytë me poezi.
T’ju them të drejtën, derisa m’i ka dërguar për botim prozat poetike, pra për numrin e parë të revistës që kam botuar në dhjetor të vitit 2017, nuk kam qenë në dijeni se ai vuante nga sëmundja që i mori jetën. Kur po përgatisja numrin e parë të revistës, fillova, si cilindo shkrim tjetër që është botuar në të, t’i lexoj prozat e tij të shkurtra, me titullin përmbledhës Libri i letrave e me prozat poetike të tematizuara Letër poezisë, Letër muzës, Letër vetmisë, Letër dashurisë, Letër jetës, në të cilat vërehej gjendje e rëndë shpirtërore e tij, njëfarë përgatitje për zhvendosje në botën tjetër, së cilës i besonte, pasi edhe i lutej Zotit për shpëtim, edhe engjëjve, jo pak herë, për shpërblim matanë hapësirës së padukshme.
Pra, duke parandjerë, nëpërmjet shkrimeve të tij, gjendjen fizike dhe shpirtërore të tij jo të mirë, më 17. 5. 2018 i shkruaj privatisht në Facebook: Ragip, po të njoftoj se sot MKRS-ja e ka publikuar vendimin për botim të librit. E ka përkrahur edhe librin tënd. Nëse nuk ke bërë ose nuk do të bësh ndonjë ndryshim tjetër në të, ma nis ta redaktojmë, ta lekturojmë, ta faqosim dhe ta shtypim. Gjithë të mirat!
Janë të tijat fjalët e pjerrëta më poshtë që më patën ardhur në Facebook po në të njëjtën ditë, disa orë më pas: Falemnderit, gjithashtu, Berat! Listën e pashë edhe në faqen zyrtare të MKRS-së. Të lutem për mirëkuptim, sepse kam me i bërë edhe disa saktësime në dorëshkrim. Kur t’i kryej, ta nisi dorëshkrimin në versionin final. Të uroj gjithë të mirat dhe suksese!
E pres t’i bëjë ato që thoshte, saktësimet, pastaj të ma dërgojë dorëshkrimin për botim. Pas kësaj bisede, as nuk më shkruan dhe as nuk i shkruaj më kurrë. Megjithatë, interesohem për shëndetin e tij. Dhe, një ditë, në fund të korrikut, takoj të birin e tij, Korabin, i cili më njofton se “babi nuk është mirë”. Dy ditë më pas, në mbrëmje, më 30 korrik, më del para syve njoftimi i një medias elektronike: Vdiq shkrimtari Ragip Sylaj. Po, por, të paktën, dikujt përbri meje i them, do të duhej të shkruhej me eufemizëm ky lajmmort i vonë për vdekjen e tij të parahershme.
Dhe, ashtu siç pritej, Ragipi iku, si shumë e shumë të tjerë, po jo si gjithkush, sepse e vlerësonte jetën, i donte njerëzit më shumë se sekush tjetër. Iku njeriu që, për natyrën e qetë që kishte dhe, ashtu sikurse ishte i përbërë, pa pikë urrejtje në gjuhë dhe mendje, mund ta shkruante, krahas një libri me poezi, edhe një tjetër “ungjill” për të shpërndarë dashuri ndër njerëz dhe ndër popuj!
Iku Ragipi, sikurse themi për njerëzit më të dashur dhe më të mirë, vetëm fizikisht. Sa herë që dëshironi të çmalleni me të, sikurse i sugjeronte Dritëroi të shoqes, e gjeni “në ndonjë varg a ndonjë shkronjë”, teksa proteston për pakënaqësitë me arritjet dhe teksa përplaset me jetën.
Me Ragipin pas lamtumirës
Ragip Sylaj, përveç librit Letër engjëllit tim mbrojtës, na ka lënë, po sikurse lihen testamentet, për lexim dhe për diskutim, gjithë ata libra që i renditëm në faqen e dytë të kësaj parathënieje. Këtë libër që po e botoj tash e quaj të përfunduar sepse, siç më ka thënë vetë ai, në të ka bërë veç pak saktësime. E kam parë variantin e dorëshkrimit të tij dhe ju them se kam vërejtur se ka bërë përmirësime morfologjike dhe sintaksore aq sa ka pasur njohuri nga kultura e gjuhës shqipe. Megjithatë, nisjen e këtij libri s’e ka paraparë kështu si është tash. Këtu kemi bërë një plotësim. Kemi shtuar Librin e letrave të tij, pesë prozat poetike të cilat i janë botuar, sa ai ishte gjallë, në revistën për kulturë, gjuhë dhe media, Akademia, të cilën e boton e njëjta shtëpi botuese që i botoi këtë libër. Meqenëse këto proza i ka shkruar paralelisht me poezitë e këtij libri dhe enkas për revistën që përmendëm, në botim tjetër ato nuk e kanë pasur vendin. Prandaj, i morëm nga revista dhe ia bashkëngjitëm këtij libri, i cili botohet në shenjë kujtimi dhe nderimi për krijimtarinë e tij letrare.
Së këndejmi, sikurse në poezitë e këtij libri, edhe në prozat poetike të tij, siç do të vëreni gjatë leximit të tyre, është i njëjti person, me po të njëjtën vuajtje, me po të njëjtën sëmundje, me po të njëjtat lutje, me po të njëjtat llogari, me po të njëjtën kulturë mendimi dhe shkrimi. Të pesë prozat e tij duken si pesë himne për: poezinë, muzën, vetminë, dashurinë dhe për jetën, me të cilat ka bashkëjetuar dhe të cilave, kujt më shumë se tjetrës, në fund të jetës ua di rëndësinë. Sot, ky libër i dhembjes së tjetërllojtë, është për ne – miqtë e tij.
Për librin Letër engjëllit tim mbrojtës
Ky libër nis me parathënien shkruar nga botuesi, vazhdon me ndarjen në cikle të librit dhe mbyllet me një shënim të shkurtër nga jetëshkrimi i gjatë i autorit.
Pëshpëritje titullohet cikli i parë i cili ka vetëm një poezi, e cila, pos titullit Rrena më e bukur…, ka edhe mbititullin Në vend të hyrjes ose Preludium.
Cikli i dytë Engjëllit tim mbrojtës ka katër poezi me të njëjtin titull, Letër engjëllit tim mbrojtës, shoqëruar në fund të titullit me numra romakë (I, II, III, IV). Këto poezi janë më të gjatat në këtë libër dhe nën titujt e tyre janë dy vargje poezish nga Fatos Arapi, Michel Houellebecq, Frederik Rreshpja, Felix Luis Viera.
Këngë të sizifta titullohet cikli i tretë që ka 13 poezi. Poezia e parë e këtij cikli fillon me Lutje, I dhe mbaron me Lutje, II.
Para se të bjerë muzgu është cikli i katërt dhe i fundit dhe ka 15 poezi. Libri me poezi përfundon këtu dhe nis ai me proza.
Libri i letrave është një cikël i pesë prozave poetike mjaft të bukura të cilat janë të përafërta tematikisht me stilin e poezive sepse shkruhen nga i njëjti person në çastet e fundit të dhembjes dhe të lamtumirës me njerëzit e kësaj bote. Meqenëse nuk ju duhet udhëzim tjetër për poezinë e tij, udhëtimin në këtë libër, duke bashkëndjerë me poetin që prej fillimit e deri në fund, bëjeni pa ne. Rrofshi, kujtofshi dhe nderofshi!