Për librin me plagë të shumta
Blerim Rrecaj
(Bekim Muhaxheri, Në zemrën tonë dimri ka mbetur, poezi, Armagedoni, Prishtinë, 2021)
Bekim Muhaxheri botoi edhe librin e dytë me poezi. Ky është një lajm i rëndësishëm kulturor. Një ngjarje e mirëpritur nga dashamirësit e poezisë, nga dashamirësit e artit. Kur botoi librin e parë me titull: “Ëndrrat bëhen pranga”, në të paralajmëroi edhe të dytin, me poezinë me titull “Riciklim”, nga e cila po shkëpusim fillimvargjet: “Diçka do të mbetet/ Për ta nisur vazhdimin/Nga fillimi/Përsëri.”
Riardhja është po aq befasuese për të mirë, me tema e motive të ndryshme, që na sjellin një mozaik poetik të ndërtuar mjeshtërisht me fjalë të përzgjedhura, të gdhendura e të latuara në atë mënyrë saqë na jepet mundësia të shfletojmë tash edhe këtë libër të mrekullueshëm, që na bën t’i duam njerëzit, natyrën, fjalët, vlerat, gjuhën, poezinë, artin, vetën, jetën, botën, hapësirën, gjithësinë. Pa harruar edhe t’i qortojmë e t’i kritikojmë, zvogëlojmë a mënjanojmë shumë vese, zhurma, rrëmuja… që na shpërqendrojnë pa të drejtë e pa arsye sepse, poeti e vazhdon maratonën e tij poetike me fjalë pakënaqësie, duke na shkundur për të na këndellur mendjen dhe zemrën: “Gjithnjë po na mbetet ta jetojmë jetën, një herë tjetër…”
Titulli i librit të Bekimit “Në zemrën tonë dimri ka mbetur” është shumëkuptimor e, mbase, i mbështjellë me ironi dhe satirë kur e sheh botën me gjithë këto plagë të mëdha e çuditshme. Ç’janë gjithë këto plagë materiale e shpirtërore që enden qenies së kësaj bote, pyet me të drejtë poeti, i cili flet pa e humbur fillin e mendimeve e të ndjenjave, për të na kujtuar thënien se “Poeti sheh edhe në errësirë”. Dhe natyrshëm pason kritika, mospajtimi e revolta edhe për hirtësinë kaq hapësirënxënëse të betonit që zgjeron territorin e tij duke prishur harmoninë dhe shtrirja e tij përtej caqeve, na ngacmon nervat si në poezinë: “Plagë urbane”, ku “të gjitha këto na mblidhen rreth zemrës si një shtresë plumbi që na ndrydh…” Derisa po kaq kritik autori është edhe në “projektin e parë poetik”, aty ku “rrjedh gjak i gjelbër”, pasi është prerë bari me gjithë lule, e duke parë që njerëz “të caktuar” që për interesa të ngushta, shkurtpamëse e përfituese prishin natyrën që na hakmerret me shkrirje akullnajash, gërvishtje të shtesës së ozonit, prishje shtretërish të lumenjve e ekosistemesh, ku ndodhin edhe rrjedhje të vërshimeve të ujërave, duke u shndërruar në “gjak të kaltër”, në këtë përmbledhje të radhës.
Çfarëdo që të flasim për këtë libër poezish, e kemi paksa të vështirë se çfarë të lëmë e çfarë të marrim (një titull, një shprehje, një varg, ca vargje, një poezi…) për t’i vazhduar mbresat tona për dukuri e fenomene të ndryshme që na rrethojnë, që gjenden brenda nesh e na trazojnë, jo pak. Në këtë libër të bukur me shqetësime dhe shpresa, do të shohim, lexojmë e ndiejmë shumë poezi që u shkruan gjatë periudhës që kur filloi pandemia. Edhe në to vërehen trazimet, paradokset, ironitë, mëdyshjet, këmbënguljet se ne si njerëz do të fitojmë e do të përpiqemi t’u largohemi rrugëve që na bëjnë të dukemi qesharakë e tragjikomikë, ndonëse shumë nga këto lutje e urime mbeten t’i dëshmojë koha, mbase t’i dëshmojmë ne, varet se si do të dimë ta përdorim kohën e çmuar, që kaq e kaq herë na dhuron shanse për të vepruar e për t’u përmirësuar. Megjithatë, na mban gjallë shpresa, siç thotë poeti, te njëra nga poezitë e tij, se pasi që do të kujtojmë ata që ndërruan jetë, botën mund ta bëjmë të madhe, pasi e bëmë të vogël e me mure të akullta mes nesh.
Poeti Muhaxheri nuk harron të na përkujtojë as ngjarje historike të popullit tonë, duke përmendur edhe ndonjë figurë historike, si ajo e Shaban Polluzhës, ndonjë ngjarje të dhimbshme, si masakrën e Tivarit, që e quan “Vdekje e kaltër”, heronj të heshtur e të panjohur, qeli burgjesh, përpjekjet në robëri e psherëtima pasrobërie, dëshirat e mëdha për t’i kthyer rrugës së zhvillimit, përparimit e normalitetit.
Një pjesë e poezive në këtë libër i kushtohen detit të cilin e krahason me sy të kaltër vashash e fëmijësh, të cilin herë e sheh të mërzitur, herë të zbehtë, të heshtur, të zhurmshëm, me cekëtina e thellësi, me historikun e tij, mbi e nënujor, mrekullinë dhe misteret e tij, pa e shmangur kërkimin e perlave nëpër brigje, plazhe, a gjerë në thellësitë e tij.
Tash dalim e ndalemi te lirikat e dashurisë, ku me aq mall e pasion u këndohet zemrave të përbashkuara, që ndiejnë zjarrin e ndezur dhe nuk e lënë të shuhet, duke hedhur mbi të krande dëlirësie në rrugëtimin që do të duhej të zgjaste përjetë, duke lënë gjithë ato gjurmë e shenja të pashlyeshme. Edhe këtu hasim kërkimtarin dhe kultivuesin e ndjenjave, ku shfaqen aq dëshira, ëndrra të sinqerta të cilat i shoqëron një melodi e lehtë melankolie, si gurrë e pashtershme frymëzimi.
Mund e ka çfarë të thuhet për këtë libër sot e tutje. E rëndësishme është se tashmë kjo përmbledhje poezish erdhi si dhuratë e çmuar, një mozaik që s’do të mund ta zbehin turbullirat e kohëve.
Autori, duke e ditur që libri me fletët e tij nga druri mbetet forma më e mirë etike dhe estetike, por edhe e pazëvendësueshme, dëshiron që lexuesi të gjejë fresk e hije në të, ngrohtësi, ëmbëlsi, këndellje, dije, sepse vetëm kështu do të mund ta arsyetojë drurin, a drurët që i “shndërruan” në një libër, i cili u mbëltua si një fidan që pret ta përkëdhelin erërat, ta rrisë dielli, ta lagë shiu, ta godasë breshëri, t’i vërtitet bora e acari, ta lëkundin stuhitë, mos ta trembin vetëtimat e rrufetë dhe të presë i patundur nëpër stinë, nëpër kohë, nëpër dekada e shekuj për të folur pa shtirje kozmetike, pa fasada mashtruese me njerëzit, vendin, botën e gjithësinë që kanë aq nevojë për frymëmarrje e buzëqeshje (sa më) të lirshme…