PËR LIBRIN NË DITËN E LIBRIT

21 prill 2020 | 09:24

ADEM GASHI

(Ese)

S’e di pse e kam pasur një lëkundje në mbushamendje që në krye të herës, kur flitej e përflitej për formulën e Ungjillit sipas Gjonit se “në fillim qe fjala”. Ky profanitet m’u shpif mbase kur mësova se që nga homo sapiensi doli fillimisht gjesti që erdhi e u shndërrua në shenjë. Përmes tij, përkatësisht përmes saj e gjej të jetë dhënë kumti i parë. Kur kordhat zanore artikuluan tingujt e parë në nivel fjale njeriu e pa se ajo nuk shkon më tej se tek tjetri përballë. Për ta transmetuar përtej kohës e vendit të tij ai, njeriu pra, përsëri iu kthye shenjës duke e bërë ekuivalent të tingullit.

Përafërsisht kështu diçka u shfaq shkrimi me kunja, me hieroglifë në gurë, në tulla, në papirus, në pergamenë, në letër e deri tek shkrimi elektronik, rrjedhimisht u shfaq libri. Po thuhet se pjesë të librave më të vjetër u gjetën tek egjiptianët të shkruara në papiruse rreth pesë mijë vjet më parë. Zbulimet e reja shkencore, nesër a pasnesër, mund ta shtyjnë këtë datë edhe më thellë muzgut të kohëve.

Asnjëherë gjatë zhvillimit historik të librit nuk pushoi mëtimi për kryelibrin, për librin e librave, për gjithëlibrin që nga epet sumere, Iliada e Homerit, librat e shenjtë e deri tek UR Libri e Libri Elektronik i ditëve tona. Më vjen interesant formulimi i UNESCO-s që pretendon të shndërrohet në definicion sipas të cilit: “llogaritet si libër një botim i shtypur, i cili mund të blihet nga publiku, nuk del në formë periodike dhe ka së paku 49 faqe”. Nuk e di përse pikërisht kjo shifër dhe madje me numër tek të minimumit!

Tani, më duket krejt e logjikshme që në kalendarin vjetor prej 365 ditëve, një ditë t’i dedikohej librit, përkatësisht autorit të tij dhe të Të drejtave autoriale. UNESCO-ja nuk e pati të vështirë të kapte pretekstin, ditëvdekjen e dy kolosëve, të dramaturgut më të madh të botës, Shekspirit dhe të Servantesit, autorit të veprës më të përkthyer (“Don Kishotit”) 23 prillin e 1616-ës.

Që t’u iki klisheve informative për këtë ditë (ato i keni me bollëk në të gjitha rrjetet e forumet virtuale), po i kthehem një proverbi, atij të sojmit që vjen si përvojë njerëzore e jo si shpikje autoriale e formuluesve të aforizmave sot. Në fëmijëri e kam dëgjuar: “Një shtëpi pa libra si një shtëpi pa dritare”. Atëbotë shtëpia ime në fshat i kishte frëngjitë e vogla dhe me pak dritë, po nuk kishte libra fare, përveç Abetares sime. Nuk e di nëse ma kishte falur dikush a ma kishin blerë ata të shtëpisë! Një shtëpi pa libra domethënë terr, domethënë burg. Ky perceptim fëmijërie jo se nuk më është venitur asnjëherë, po më ka dhënë dorë ta dashuroj librin. Në këtë pikë e gjej edhe raportin ndërmarrëdhëniesor të librit me qytetërimin. Libri, një mjet që përmban pesë përbërës. Mundet edhe më shumë, po unë i shoh si më kryesorë: diturinë, artin, kulturën, moralin dhe religjionin.

Rëndësinë e kësaj dite e gjej edhe tek kuarteti i libërbërësve. Unë, në mos qofsha i gabuar, edhe libërshkruesin e rreshtoj tok me botuesin, radhitësin, libërshitësin (qëllimisht s’po e quaj tregtarin e librit).

Sot (duke e menduar të dielën e 23 prillit) vijmë me dedikim në këtë ditë, sepse këtë synim kishte dhe vendimi i Asamblesë së UNESCO-s, më 1995. Të flitet, të propagandohet (në kuptimin e mirë) vlera e librit, si atribut civilizimi po aq sa edhe si faktor ndikimi në stadet e zhvillimit të humanizmit në këtë planetin tonë të dashur, të quajtur Tokë që, si për koincidencë, pikërisht dje (domethënë nesër, më 22 prill) kishte Ditën e saj, Dita e Tokës. E quaj të vyer impenjimin e Bibliotekës Kombëtar, të kësaj shtëpie me shumë dritare e kupola, që na mblodhi për këtë kujtesë.

Po e kërkuam me ngulm Librin e Librave që, si i tillë nuk do të shkruhet kurrë, them se këtë mund t’ia atribuojmë vetëm BIBLIOTEKËS. Kjo po, edhe mund të jetë LIBRI I LIBRAVE.

_______________

Prishtinë,

(23 prill 2014)

(21 prill 2017)

(21 prill 2020)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në mesin e 21 të shëruarve nga virusi “korona” të…