Për llajka në “Facebook”, Kurti merr vendime autoritare
Shefi i grupit parlamentar i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se, veç shëndetit publik në Kosovë, është e rëndësishme të kemi edhe institucione efikase, e pandemia mos të përdoret për interesa politike.
Ai ka thënë se veprimet e Kurtit si kryeministër janë të papranueshme, pasi i njëjti s’është në gjendje të bashkëpunojë. “Në këtë rast kemi qenë përballë një pandemie dhe se Kurti e ka trajtuar çështjen e Kosovës përballë partnerëve, veçmas ShBA-së. Çdo ditë ka tendenca autoritare të kapjes së shtetit dhe të mos njohë ligj e as asgjë për do llajka, është në gjendje të bëjë brenda ditës gjëra. Ne e kemi vlerësuar se s’mund t’i jepet besimi që ai ta drejtojë qeverinë’’, ka thënë ai në Dukagjini.
“Këto veprime na kanë detyruar të marrim masë parandaluese për veprime autoritare të papërgjegjshme. Si rezultat i mënyrës së të menduarit të Kurtit, shohim se çfarë kryeministri kemi pasur. Ai njeri s’është në gjendje të bashkëpunojë. Ai don me pas ose të nënshtruar ose kundërshtarë. S’ekziston partneriteti për të. Unë i kam thënë paranojak në seancën e mocionit, por i kam rënë pishman që i kam kërkuar falje. Ai s’mund të ketë partner të barabartë. Kjo është e rrezikshme. e shkeli Kushtetutën dhe e shkarkoi ministrin Veliu për ego personale”, shtoi ai.