Për Mitrovicën…

31 janar 2021 | 11:06

Shkruan: Bedri Islami

25 vite më parë, kur ende nuk dihej e ardhmja e Kosovës, një njeri i mençur dhe që, më pas, dëshmoi se njeriu mund të vdesë ashtu si kishte folur, Fehmi Lladrovci, do të bënte parashikimin e tij të saktë, thellësisht të qartë se, “E ardhmja e Kosovës do të përcaktohet në Mitrovicë”.
Ishte i bindur në mendimin e tij dhe kishte dhimbje të madhe në atë që thoshte, pasi, si pak kush tjetër, në të gjithë atë enigmë të së ardhmes , ai e kishte të qartë se një popull që nuk është kujdesur kurrë për çatinë e vendit të tij, ai nuk do i kishte kurrë as themelet e qëndrueshme.
Në pamjen e tij të jashtme ai kishte të përbashkëta me Isë Boletinin; i gjatë, i hijshëm, me qëndrimin e tij tipik malësor, sytë që i shkëndijonin, ecjen e avashtë, buzagazin për miqtë dhe fjalën e avashtë, por ngulmuese.
E donte Mitrovicën mbi gjithçka tjetër, jo thjeshtë për pasuritë e saj të nëntokës, edhe ato i donte, por më shumë për gjithë atë çka ajo përfaqësonte, dhe, e dinte krejt mirë se pushteti serb do të përpiqej të ngulte në veriun e shtetit të ri shqiptar, sepse ai ishte ithtar i madh i bashkimit të kombit, njërën nga thikat e tij. Ose vetë, ose përmes miqësive të hershme.
Kur lufta mbaroi, Fehmiu dhe Xheva nuk ishin më. Pushonin në njërën pjesë të luginën së Shkabajve, buzë së cilës rridhnin ujërat dhe hijeshojnë lisat.
Por çdo gjë që ai parashikoi për Mitrovicën, çdo gjë doli se kishte qenë e saktë.
Thika është ngulur në veriun e saj. Një fillesë ndarje është e pranishme , e cila mund të jetë edhe më e thellë, nga që miopia politike ka bërë që të rrjedhë shteti nëpër xhepat e pushtetarëve dhe mendimi politik të jetë diskurs i atyre që nuk e dinë as se si të ndërtohet gardhi i shtëpisë së tyre.
Mes të vërtetës dhe mashtrimit qëndron gjithnjë hija e së djeshmes!
Mes të vërtetëve dhe ikanakëve qëndron përherë çasti i provës.
Mendja e një njeriu të veçantë, dhe, të veçantë nga të gjitha pikëpamjet, ka saktësuar dy dekada e gjysmë përpara se ku do të qëndrojë dhembja e madhe e Kosovës!
Shumë nga shokët e tij janë vrarë në luftë. Disa kanë mbetur veç për të koritur të djeshmen e tyre! Të tjerë nuk kanë të ardhme!
Asnjëri, i vetëm, nuk mund të krijojë të tërën!
Në boshllëk tingujt ecin më shpejt, duket se kumbojnë më fort, por humbin rrugës dhe shkërmoqen nga e zbrazëta rreth tyre!
Ai lider në Kosovë apo kudo qoftë , që do të zgjidhë çështjen e Mitrovicës, a me hatër a pa hatër, ai do të jetë burrështeti i shqiptarëve.
Ai do të jetë Prijësi!
Të tjerë janë liderë që shkojnë e vijnë në një skenë të madhe, ku perdja ka rënë, ende pa u mbyllur akti i së ardhmes!
Fehmiu ishte Prijës!
Dhe ishte ndër ato burra që i kishte hije të jetë Prijës!
Dhe si i tillë parashikoi 25 vite më parë se ku do të ishte e ardhmja!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër,…