Për “Muranë fjalësh” tash duhen ndërmjetës

12 nëntor 2021 | 17:17
Berat Armagedoni

Dy herë u përpoqa ta bind, s’u bind. Meqë ishte më kryeneçe se unë, të tretën herë lëshova pe. Kur ta tjerrësh hollë, ndoshta ka të drejtë! Për këtë vepër poetike autorja nuk dëshironte ndërmjetës. Nuk i duhej fjala e askujt as brenda trupit (veprës), as jashtë saj (në dukjen e jashtme). E refuzoi një shkrim të shkurtër nga unë dhe nga një mik. Nuk më dërgoi as fotografi e as biografi për publikim. Pastaj e refuzoi edhe ilustrimin tim, më pastaj edhe ornamentet përreth kapakëve (makijazhin). Kërkonte thjeshtësi. Kërkonte klasikë. Modeste në takimin e parë, modeste në takimin e dytë. Frymëmarrjen e brendshme të veprës dëshironte ta ndienin ata që s’kanë nevojë për fjalët e të tjerëve, ata që dinë, ata që s’dinë dhe ata që duan ta interpretojnë poezinë sipas dëshirës. Por, tash që vepra e saj u lëshua në shtyp dhe që pritet të dalë nga shtypi në javën e ardhshme, për “Muranë fjalësh” duhen ndërmjetës. Ky libër më s’është i autores. Është i yni, e për të, në këtë vit, do t’i themi disa fjalë, qind për qind në shtëpinë e “Pjetër Bogdanit”.

Ti edhe mund të heshtësh, Majlindë, por ne jemi mësuar të flasim.
Urime që “gurët e fjalëve” të rrënuara, më në fund, i bëre mure!
Të paçim gjatë!

Autori është drejtor i shtëpisë botuese “Armagedoni”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova do të ftohet në Samitin për Demokraci që organizohet…