Sylvia Plath vdiq në 11 shkurt të vitit 1963. Ndonëse si poete karakterizohet prej vdekjes së saj, njohja e jetës së Plathit, se si ishte ajo përtej vdekjes, është mënyra e duhur për të nderuar trashëgiminë e saj letrare. Plath ishte një shkrimtare moderne, që e shpërfaqi botën e vet të brendshme në letër, duke prodhuar kësisoj një letërsi që përbashkonte jetën me vdekjen, forcën dhe balancën, duke thyer kufijtë tradicionalë të poezisë për të sjellë në vëmendje dinamikat e lëkundjeve shoqërore të kohës.
Plath lindi në Masaçusets dhe talentin për letërsinë e zbuloi në moshë të re. Poezitë e para i botoi në moshën tetë vjeçare dhe u bë mandej pjesë e konkurseve të ndryshme letrare. Ajo shkroi atë që njihet si poezia rrëfimtare, që i reflektonte identitetin e saj të thërrmuar. U diplomua në Universitetin e Kembrixhit, ku njohu Ted Hughesin, bashkëshortin e saj të ardhshëm.
Gjatë viteve të para diplomimit, Plath përjetonte simptoma të forta të depresionit. Në ditarin e saj shkruante: Më duket sikur jeta ime karikohet prej dy telave të korrentit: një të gëzueshëm dhe një jo. Jetën ma dominon më i forti; ai ma mbush jetën.
Kaloi në mbidozë nga pilulat e marra, u shërua shpejt dhe ndoqi si trajtim psikiatrik goditjet e elektroshokut në institutet e kohës mbi shëndetin mendor. Gjatë shekullit të kaluar trajtime të tilla konsideroheshin ende si stigmatizuese, gjë që e pengonte Sylvian të merrte kurën dhe kujdesin e duhur. Gjendja e depresionit i ndikoi dukshëm në shkrimet dhe poezitë e saj, si reflektime të vuajtjeve të veta.
Plath publikoi përmbledhjen e saj të parë me poezi, Colossus, në vitin 1960, duke u pritur ngrohtë nga kritika e kohës. Gjatë saj periudhe, ajo njihej në rrethet letrare, por jo për lexuesin e gjerë. Megjithatë nga ana tjetër, në jetën e saj private, martesa e Plathit po shkatërrohej, dhe në vitin 1962, Hughes ish’ dashuruar me një grua tjetër dhe e kishte braktisur shkrimtaren. Në vitin 2017 u zbulua gjithashtu, përmes disa letrave konfidenciale, se Hughes kishte abuzuar me Plathin si emocionalisht, ashtu edhe fizikisht.
Gjatë viteve të fundit të jetës, Plath u përfshi në një gjendje tejet të trazuar, e cila u reflektua dukshëm edhe në shkrimet e saj. Ajo botoi romanin e saj të vetëm, “The Bell Jar” (Kambana e qelqtë), një muaj para se të vdiste. Romani përshkruan një vajzë të re, përvojat e pakënaqshme të së cilës e shtyjnë drejt një depresioni të thellë. Edhe pse u botua nën pseudonimin e Victoria Lucas, Kambana e qelqtë është një pasqyrim i përvojave të Plathit, një rrëfim fiksional, por po aq edhe biografik, që na zbulon më tepër mbi konfliktet e brendshme që ajo përjetonte.
Romani hodhi dritë mbi rëndësinë e sëmundjeve mendore dhe stigmën që i shoqëronte ato. Imazhet tronditëse të spitaleve psikiatrike pasqyrojnë tmerrin që ajo ndjeu ndërsa kalonte aty kohë të tëra, duke dëshmuar hapur institucionet e dështuara, që ajo dhe shumë të tjerë provuan. Sinqeriteti dhe gatishmëria e saj për të përshkruar seriozitetin e sëmundjeve mendore e vendosën atë jashtë kornizave të autorëve tradicionalë, duke marrë vëmendjen dhe vlerësimet e kritikëve të shumtë.
Kur Plath kreu vetëvrasjen ishte tridhjetë vjeç dhe la pas dy fëmijë. Pas vdekjes së saj, Hughes mori të drejtat e shkrimeve dhe dorëshkrimeve të poetes dhe botoi përmbledhjen e dytë me poezi, Ariel. Ndër vargjet zbulohet gjendja e paqëndrueshme mendore e Plathit dhe vrullin e emocioneve që ndiente në këtë përballje të fortë me veten. Përmes kësaj përmbledhjeje, ajo eksploroi hollësisht jo vetëm veten, por edhe shoqërinë në përgjithësinë dhe veçantinë e saj. Poema të tjera si “Daddy” dhe “Lady Lazarus” trajtuan dinamikat e pushtetit mes burrave dhe grave, duke ekspozuar kësisoj shtypjen dhe konfliktet e brendshme që gratë ndiejnë teksa përpiqen të balancojnë pritshmëritë shoqërore me ato personale. Veprat e saj u folën shumë njerëzve, duke nxjerrë në pah abuzimet mendore dhe duke i dhënë vlefshmëri rrjedhës së paqetë të arsyetimit që i shoqëron ato.
Ndikimi që ajo pati ndihet ende edhe sot. Plath jo vetëm që ndikoi ndasitë sociale, duke u dhënë dritë padrejtësive edhe në institucioneve moderne, por po ashtu ndikoi në ngritjen e cilësisë së letërsisë amerikane.
Ajo zhvilloi atë stil shkrimor që njihet si Letërsia rrëfimtare, një stil i ri që përbashkon ndjesitë personale me ato sociale dhe kolektive, duke reflektuar kështu problemet më të thella të shoqërisë. Përmes letërsisë së saj, Plath gjithashtu u dha zë lëvizjeve feministe me refuzimin e saj të vazhdueshëm të normave tradicionale gjinore.
Me përfundimin e leximit të Kambanës së qelqtë, e ndjeva veten më afër kuptimit të vuajtjeve të Plathit, dhimbjes që ajo ka përjetuar, ndonëse nuk do t’i kuptoj kurrë plotësisht përvojat e saj. Fjalët e saj janë fjalët e mia dhe arritën t’i vërtetonin ato mendime të brendshme, duke më larguar nga vetmia që i shoqëron kaherë. Shkrimet e saj kanë bërë të njëjtën gjë për shumë të tjerë, duke sjellë një ndjesi qetësie në kohë trazirash emocionale dhe pasigurish.
Sot kujtojmë një shkrimtare që jo vetëm luftoi brenda vetes, por edhe theu barriera, duke trajtuar çështje që të tjerët nuk i preknin dot dhe duke hapur rrugën për shkrimtarët e ardhshëm.
Sot përkujtojmë Sylvia Plathin … /“ExLibris”/