
Për nëntë muaj janë kryer 183 operacione për heqjen e gjirit në Kosovë
Në Klinikën e Kirurgjisë Torakale të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, gjatë periudhës janar- shtator 2022, janë kryer 183 operacione për heqje të gjirit dhe 4 raste të heqjes së pjesërishme të gjirit.
Kjo është bërë e ditur përmes një postimi nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) në “Facebook”.
“Për 9 muaj, në këtë klinikë janë kryer, po ashtu, 220 ndërhyrje të vogla kirurgjike – incizione. Sipas raportit të punës, gjatë kësaj kohe janë bërë edhe 94 biopsi, 196 eho dhe 1 mijë e 190 punksione. Janë kryer edhe 1 190 punksione të gjirit në ambulancë specialistike dhe shumë shërbime të tjera shëndetësore”, ka njoftuar ShSKUK-ja.
Tetori, në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit është një fushatë vjetore ndërkombëtare që synon të shpërndajë informacion dhe të edukojë njerëzit për rëndësinë e shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë botën.