PËR NJË ATDHE TË LIRË E TË BASHKUAR

19 dhjetor 2020 | 21:10

(Botues: Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës)

Shkruan: Fatmir Brajshori –

Është nder të shkruash për Ata që kanë flijuar çdo gjë për Atdheun, por gjithashtu është e vështirë, që në një libër, figura e një qëndrestari të përfshihet e tëra dhe të jepet në formën e të kuptuarit nga mjedisi ku jetonte gjatë veprimit të epokës së tij.

Aq më parë kur heroi i librit “Për një Atdhe të lirë e të bashkuar“, jeton dhe vepron në kohën, kur në Atdheun e tij po ndodhin lëvizje të gjera revolucionare, sikurse që në mbarë Evropën por edhe në botë, kishte luftëra dhe protesta për liri e pavarësi të popujve, e të cilat ishte e pamundur të mos ndikonin në rininë avangarde të viteve të 60-ta dhe të 70-ta, e sidomos te brezi i viteve të 80-ta të shekullit të kaluar.

Kështu që të gjitha lëvizjet studentore revolucionare linin pa dyshim gjurmë në shpirtin e të riut Nazmi Hoxha.

Qëndresa e djemve atdhetarë, ishte e pamundur të mos ndikonin te Nazmiu, siç mësojmë në libër, „në shpirtin e tij të ndjeshëm e me plot tallaze“.

Takimi me shokë revolucionarë, kur ky ishte më i ri, si dhe edukimi familjar, të cilin ai e ndiqte, nga rrëfimet e më të vjetërve të fshatit Cernicë, për luftën e Ramizit por edhe të Raifit (babë e bir), pa dyshim që do të ndikonin ndjeshëm në formimin e tij.

Autori duke sjellur në mënyrë episodike, veprimtarinë e Ramiz Ahmetit (Cernicës) krahas pasqyrimit të prejardhjes së heroit të librit të tij, e që është Nazmi Hoxha, ai na e bën akoma më të dashur figurën e Ramiz Cërnices.

Ja vetëm një pjesë e vogël e asaj që shkruan:

(Fillimi i fragmentit)

“Në formimin e personalitetit të Ramiz Cernicës si atdhetar luajtën një rol të rëndësishëm edhe luftërat ballkanike, ku babai i tij ishte pjesëmarrës aktiv, duke lënë kështu gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e tij.

Është i njohur qëndrimi i Ramizit në mbledhjen e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Kosovës, të mbajtur më 10 korrik 1945 në Prizren, i njohur ndryshe edhe si Kuvendi i Prizrenit:

“ME SHQIPNINË, JO ME SERBINË!“

…Fjalën e tij famoze të Prizrenit, Ramiz Cernica ia tregoi gati fjalë për fjalë veprimtarit dhe revolucionarit të njohur Kadri Halimi.

Rrëfimi i Ramiz Cernicës, të cilin e mori në shënim Kadri Halimi, është si më poshtë:

“… Sot jemi mbledhur ne të deleguarit e popullit të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit për të shprehur vullnetin dhe dëshirën e popullit (shqiptar) të kësaj Krahine. Unë jam i deleguar i popullatës së rrethit të Gjilanit. Këtu sot do të vendoset për fatin e Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit. Siç dëgjova nga referati i paraqitur pak më parë, Partia paska vendosur që Krahinën tonë t’ia bashkojë Serbisë pa e pyetur fare popullin e saj. Unë shpreh mospajtimin tim me këtë synim e prejudikim. Populli i Krahinës sonë është kundër bashkimit me Serbinë. Ai është për bashkim me Shqipërinë. Për ne Serbia është njerkë, kurse Shqipëria është nënë. Kush kujdeset më fort për evladin e vet – nëna apo njerka? U muar vesh se nëna kujdeset me gjithë zemër e pa hile, kurse njerka gjithherë thjeshtrit i bën hile e padrejtësi. Pra, unë jam për t’iu bashkuar Kosova Shqipërisë, sepse me këtë po shpreh dëshirën e popullit. Kjo dëshirë e popullit për bashkim me Shqipërinë është shprehur e shkruar edhe në Rezolutën e Konferencës së Bujanit…“ (fund i fragmentit).

Thirrjen e revolucionarëve nga Kadri Halimi, Ali Aliu, Adem Demaçi për liri ishte e pamundur që edhe ai të mos i bashkohej.

Autori edhe pse nuk mirret me hollësi më të thella, që të mos e ngarkojë librin, për secilën ngjarje që do të kishte ndikim në formimin e Nazmi Hoxhës, qofshin ato mbrenda territoreve shqiptare apo ato botërore, ai arrin, autori pra, të na e jep të qartë dhe me vërtetësinë e fakteve dokumentative dhe fotografike, figurën komplete të heroit të librit të tij.

Merita e Agim Sylejmanit është që ia ka arritur ta vendos drejt dhe qetas në libër Heroin e tij sa më të pranueshëm për lexuesin.

Biografia, krijohet përshtypja, është shkruar bukur dhe me frymëzim, ani pse nga një anë tjetër, është edhe e vështirë, kur ta kemi parasysh, që po ashtu vet autori, ka kaluar dhe i ka përjetuar pothuajse të gjitha ato që ka përjetuar personazhi kryesor i librit të tij.

Agim Sylejmani ka shfrytëzuar një material të bollshëm dhe të gjerë për jetën dhe krijimtarinë revolucionare të Nazmiut. Ai ndjek, pa eksperimentuar rregullat klasike të bërjes së jetëshkrimit për një figurë publike interesante, apo një tribun popullor, revolucionar i hershëm, dëshmorë e heronj, hap pas hapi, jetën e kryepersonazhit e që është Nazmi Hoxha, duke filluar me të kaluarën e fshatit Cernicë, figurat e njohura të vendit e kështu me radhë. Pra, në pjesën e parë përshkruhet fëmijëria, shkollimi, krajatat e jetës, martesa, qëndresa, veprimtaria, organizimi ilegal, burgu, liria, përpjekja për të mbijetuar, të cilat i japin veprës një zhvillim horizontal…

Për brezin e ri të pas luftës, mendja më thotë që “pjesa e dytë e veprës që rrëfen për organizimin ilegal në GMLK të kryepersonazhit“ do të jetë më interesante ngaqë krijohet përshtypja që krijohet një takt i ri me ritëm, teksa ata që jetuan dhe vepruan së bashku me Nazmi Hoxhën, do të kthehen edhe një herë në „makinën e kthimit të kohës“ për të rikujtuar çdo gjë…

Shkuarja e Nazmiut në Prishtinë, i mundësoi kontaktet me revolucionarë tjerë të kohës, ani pse te rrethi i tij ku vepron dhe militon, ndikim të madh tek ai, siç na i ofron autori, kishin Rexhep Malaj, Kadri Osmani e të tjerë…

Autori na ofron një mori ngjarjesh që përbëjnë jetën e Nazmi Hoxhës… Merita e Agim Sylejmanit është që ai me mjeshtëri ka arritur të veçojë, ato më kryesoret, të hedhë dritë duke ndriçuar ngjarjen me faktin, ku secilës ndodhi, qoftë nga jeta e fëmijërisë, aktiviteti revolucionar, dënimin dhe burgun, ia bashkangjet edhe një dokument pas, si dëshmi për kohën.

Autori duke u bazuar te njohuritë vetanake që ka për kohën, e sidomos për zhvillimet e bujshme të qëndresës shqiptare, dhe, një zgjimi revolucionar të rinisë por edhe vetë shtresave të gjera popullore, dhe, duke u bazuar te materiali që ka pasur në disponim dhe aftësitë e tija njohëse e treguese, na e paraqet me saktësi reale jo vetëm figurën e Nazmi Hoxhës por edhe të familjarëve të tij, shokëve të radhëve të organizuara, e sidomos figurën e shoqës së tij të jetës Zijaveren, e cila ishte shtytësja dhe përkrahësja e tij besnike dhe bashkudhëtarja në rrugën e lavdisë që kishin zgjedhur, rrugë e cila të shpiente drejt pavdekësisë!

Figura e bashkëshortes së Nazmiut, që në libër është një personazh i pashmangshëm e cila në një formë simbolizon secilën grua, nënë, bashkëshorte, të secilit të burgosur politik, e të cilat janë heroinat e vërteta!

Burgu, ky kazamat i tmerrshëm, kudo që mbyllte të burgosurit, disidentët e kohës, të cilët nuk pajtoheshin me pushtetet e instaluara nga okupatori apo ato vendore diktatoriale, synonin që duke mbyllur mes katër mureve, ata që pa u trembur, luftonin çdo tirani, siç ishte edhe heroi i librit dhe jo vetëm ai, por, që të gjithë të heshtnin zërin e së vërtetës; e sidomos zërin e shqiptarëve të okupuar, që jetonin nën pushtetin serbo-kosovaro-jugosllav, të cilët edhe pse e dinin, që burgjet shovene ishin plot e të stërmbushura, luftën për liri dhe bashkim kombëtar nuk e ndalën asnjëherë!.

Duke lexuar monografinë për Nazmi Hoxhën mësojmë shumë gjëra jo vetëm për të por edhe për shokët e tij që vepronin me të.

Këta ishin heronjtë tanë por që ne nuk bëmë shumë që këta heronj t’ua prezentojmë edhe të tjerëve, për t‘u treguar shembullin më të mirë, të një qëndrese, të rinisë shqiptare, që përkundër torturave të tmerrëshme, për t‘fituar lirinë kjo Rini u vënte trupat e tyre përpara bajonetave të gardianëve të burgjeve serbe.

Atë që bënë irlandezët me Bobby Sands (Robert Gerard Sands), i cili ishte vullnetar i Armatës së Përkohëshme Irlandeze dhe anëtar i parlamentit Britanik, që vdiq në grevë urie në burgun Long Kesh për posedimin e një arme, ne s’e bëmë edhe pse kishim me qindra e mijëra si ai.

Bobby Sandsin e bënë irlandezët jo vetëm heroin e tyre por edhe të të tjerëve, te bota avangarde që kërkonte ndryshimin e saj dhe të shoqërisë, kudo në rruzull!

Por çfarë bëmë ne shqiptarët për heronjtë tanë, e që ishin (janë) të burgosurit politikë?! Sa greva urie bënë nëpër burgje?

Sa i burgosuri shqiptarë vdiq në torturë?

Sa vite të kaluara nëpër kazamate serbo-jugosllave?

Dhe ne nuk bëmë asgjë që heronjtë tanë t‘i bëjmë edhe heronj për të tjerët!

Adem Demaçin na e promovuan të tjerët; kur ne (alternativa kosovare) e shanim për të tjerët!

Autori i librit, Agim Sylejmani, me çasjen e tij për të shkruar jetëshkrime për më meritorët që Kosova nuk u ç’shqiptarizua, si për Rexhep Malajn, Sadik Bujën dhe tash për Nazmi Hoxhën, sikur bën thirrje, tek të tjerët me klithmën “Ejani o shokë“ të nderojmë ata shokë që ishin e nuk janë më; për ata që shoqëria e jonë, pas luftës çlirimtare, jo që nuk tregoi admirim dhe mirënjohje por i la në harresë!

Të burgosurit politikë ishin ndërgjegjja e jonë; zëri i arsyes sonë!

Po të mos ishin Rexhep Malaj e Nuhi Berisha, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, Ali Ajeti e Hasan Ramadani sikur Hydajeti Hyseni me shokë si Nezir Myrtaj, Mehmet Hajrizi, Gani Sylaj, etj. nuk do të ishte, pa ta, as Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe heronjtë e saj Adem e Hamzë Jashari, Zahir Pajaziti, Ilir Konushevci, Agim Ramadani, Ismet Jashari, Iljaz Kodra etj.

Libri është tipik jetëshkrimor pa refleksione të mëdha metafizike dhe për këtë arsye duhet ta përgëzojmë autorin; jo vetëm që heronjtë e qëndresës dhe organizimit ilegal i bën të njohur për brezin e sotshëm por më shumë për atë të ardhshmin!

E ne si brez, ndoshta, jemi edhe „sui generis“ ngaqë, Ai heroi i ynë, Nazmiu dhe shumë të tjerë si Ai (të burgosurit politikë 1944-1999), së pari duhet të vdesin që pastaj të jetojë legjenda.

Me librin e radhës Agim Sylejmani, sërish si kryefjalë ka shqiptarin e burgosur politik, të cilin po e bën të pavdekshëm dhe të përjetshëm!. (uraebashkuae.com).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka njoftuar se vetëm përgjatë…