Për një gjysmë ëndrre të Fatos Arapit dhe tonën …
Nga: Visar Zhiti
U bënë vite që poetin Fatos Arapi nuk e shohin më rrugëve të Tiranës dhe vërtet miqtë e tij dhe të poezisë së tij e ndjejnë mungesën. Mua më duket se e ndjejnë dhe pemët e trotuareve ku ai ecte shkujdesshëm, me pak nxitim kur ishte vetëm dhe ëndërrimtar, megjithëse mosha ndryshonte, flokët iu zbardhën krejt e, megjithatë, kur shihte ndonjë të njohur, koleg apo student të tij, ndalte dhe biseda, çdo bisedë e bënte më të vëmendshëm e të përzemërt.
Kështu e kujtoj, teksa forcohej miqësia me të, si mirëkuptim brezash dhe botëve të ndryshme. Ai e kishte kulturën e takimeve, e cila mungon ndjeshëm te ne apo keqkuptohet dhe shpërdorohet. Të tjerët, shumicën, i kemi njohur nga kurrizet. Nëse nuk i kishim kuptuar si kishin ardhur, e dimë pse na kanë ikur … Mbase e ka fajin gjysmë ëndrra, siç shkruan Fatos Arapi në një nga poezitë e tij. Ai sikur e kërkoi, më saktë sikur e zbuloi gjysmë ëndrrën tjetër të vetes pas ndryshimeve të mëdha, kur diktatura zhbëhej për t’u bërë ndryshe … dhe mbeti poet … Fatos, i lirë për të qenë më i trishtuar dhe më i dhembshur se më parë dhe me zhgënjime sa të doje …
Gjithmonë më ka tërhequr gjysmë ëndrra tjetër, ajo e pathëna dot dhe u afrohesha shkrimtarëve me gjysmë ëndrrën e ikur, disave të burgosur, disave të vrarë bashkë me të. Gjysmë ëndrra e mbetur ishte më e rëndësishmja se gjysma tjetër apo më shqetësuese? … Si Fatos Arapin, që kishte qenë partizan që i vogël, që kishte luftuar për lirinë të cilën e përmendte në poezi më shumë se të tjerët gjatë sundimit të socrealizmit etj. Kam njohur edhe shkrimtarin Kasëm Trebeshina; edhe ai kishte qenë partizan i egër, e pohon vetë pas luftës; atë e çuan të studionte për dramaturgji në Bashkimin Sovjetik, në Leningrad, kurse Fatos Arapin për ekonomi në Bullgari, në Sofje.
I arritën ëndrrat? Gjysmën? Pse po i kujtoj bashkë këta të dy? Apo më avitet imazhi, ku jam bashkë me ta? Fatos Arapi më pas u bë pedagog universitar, poet i njohur, kritikohej herë pas here për modernizma dhe hermetizëm, e largonin etj., kurse Kasëm Trebeshinën e kthyen nga Leningradi në atdhe si të çmendur se doli kundër realizmit socialist dhe e burgosën … A i mbeti gjë nga gjysmë ëndrra e tij dhe gjeti brenda telave me gjemba gjysmë ëndrrën tjetër? Apo janë viktima të idealit të tyre, njëri si i burgosur politik dhe tjetri si poet i njohur i realizmit socialist, që mundohej t’i shmangej?
Në burg e dëgjova së pari emrin e Kasëm Trebeshinës. Mua më kishin burgosur për ëndrrën e poezisë, që e kisha dhe poezi të ëndrrës dhe këto nuk janë dy gjysmat e së tërës, por copëza të thyera në duart e mia që m’i përgjakën. Unë isha pjesë e gjeneratës më të pafat, që vinte pas atyre të fitimtarëve, madje nga kundërshtarët. Na shikonin me dyshim, si armiq, gjithë me vrer, që ende nuk u ka ikur, edhe pse komunizmi ra në shkallë botërore, ra ëndrra e fitimtarëve si një çati e na zuri nën vete, edhe ne, të mundurve, por mbetëm mbi gërmadha më të lirë se kurrë, më të lirë se ata që na burgosën …
Dhe, u përziemë të persekutuar e persekutorë, poetë që kishin qenë burgjeve dhe poetë që kishin futur burgjeve etj., Na bashkonte poezia, kështu m’u duk, por në fakt ajo dhe na kishte ndarë … Po sot do flas që poezia na kishte bashkuar. A ishte dhe kjo një gjysmë ëndrre? Për të tjerët s’e di, për mua … prapë s’e di. Kur doja poezinë, doja dhe atë që e shkruante. Më pëlqenin takimet me poetin Fatos Arapi. Ai kishte diçka atërore, të mirë. Në atë kohë mallëngjehej shpejt. Por, atit i falet shumëçka … Ndërsa Kasëm Trebeshina ishte zemëruar me të gjithë atdheun, me të gjallët e të vdekurit …
Poetë bashkëvuajtës nuk kisha afër kur dola nga burgu dhe pothuajse të gjithë që njihja, nuk guxonin të më flisnin. Me të ndryshuar kohët, ndryshuan edhe ata. Poezia jonë, që kishim shkruar fshehurazi burgjeve dhe internimeve, në fillim i trallisi, po e çmonin, pastaj s’e di, po e shihnin si akuzë ndaj vetes a rivale a të dyja bashkë dhe po e përflisnin, po e shmangnin, u arrit në absurde të padëgjuara duke lavdëruar poezitë që nuk ekzistonin, të ndonjë poeti që kishte qenë në burg, por s’kishte shkruar dot atje etj. Madje, ndonjë gazetë që ribotonte poezi të dikurshme të ndonjë poeti, nuk harronte të vinte shënimin në krye sikur të kushte rëndësi që ato s’ishin “poezi burgu”, kur dihet që s’mund të ishin, se autori vetë s’kishte qenë ndonjëherë në burg, por shokë të tij.