Për një javë u lëshuan mbi 10 mijë targa të përkohshme
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës njoftoi se nga 20 deri më 26 shtator ka administruar 10,110 targa të përkohshme për automjetet me targa të Serbisë.
Sipas MPB-së, këto targa janë administruar në të gjitha pikëkalimet kufitare të Kosovës dhe në qendrat për regjistrimin e automjeteve.
Që prej 20 shtatorit, Kosova po aplikon masën e reciprocitetit sa i përket targave të automjeteve nga Serbia. Shoferët duhet të heqin targat serbe dhe të vendosin targat e përkohshme që lëshohen nga autoritetet e Kosovës.
Këto targa të përkohshme kushtojnë pesë euro dhe kanë vlefshmëri për 60 ditë.
Por, që nga vendosja e kësaj mase, rrugët që çojnë në pikëkalimet në Jarinjë dhe Bërnjak janë bllokuar nga qytetarët serbë, të cilët kanë vendosur në rrugë kamionë e mjete të tjera të rënda.