Për një të ardhme në harmoni, na duhen masa urgjente për njerëzit dhe natyrën

29 prill 2021 | 16:54

60 vjetori i Organizatës Botërore për Mbrojtjen e Natyrës WWF, thirrje për mbrojte të natyrës

Organizata Botërore për Mbrojtje të Natyrës WWF (Fondi Botëror për Natyrën) feston ditëlindjen e 60-të dhe bën thirrje për masa urgjente për trajtimin e klimës globale dhe krizën natyrore si dhe për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për të gjithë banorët e planetit. “Së bashku me qeveritë, kompanitë dhe komunitetet, ne duhet të arrijmë më shumë në 10 vitet e ardhshme sesa kemi arritur në 60 vitet e fundit,” tha Marco Lambertini, drejtori ekzekutiv i WWF International.

Sot është më e qartë se kurrë më parë se ne jemi dëshmitarë të shembjes katastrofike të biodiversitetit të planetit tonë. Raporti i fundit i gjendjes së Planetit nga WWF zbuloi një rënie prej 68% të popullsive të botës së egër në gjysmëshekullin e fundit, e cila nga ana tjetër kërcënon klimën, ushqimin, ujin dhe shëndetin tonë. Pandemia COVID-19, e rrënjosur në ndryshimin e shfrenuar të përdorimit të tokës, shpyllëzimet dhe tregtinë e kafshëve të egra, është prova e fundit se aktivitetet e paqëndrueshme njerëzore po shkatërrojnë planetin tonë.

Për 60 vjet, WWF ka qenë dhe mbetet në qendër të përpjekjeve globale të ruajtjes së natyrës. Është ideatori i një numri iniciativash, efektet e të cilave ndihen edhe sot – nga mbështetja për krijimin e zonave të mbrojtura me famë botërore siç janë Parku Kombëtar Galapagos ose vullkanet në Ekuador dhe Ruanda, deri tek ruajtja e llojeve kryesore duke përfshirë pandat, tigrat, rinocerontët dhe elefantët. Nxitur nga shkenca, WWF është përballur me sfida të mëdha mjedisore, nga mbrojtja e komuniteteve të shumta ose lançimi i etiketave ekologjike të para në botë për ushqime dhe produkte të konsumit, deri në avokimin për miratimin e marrëveshjeve globale për ligatinat, tregtinë e botës së egër, biodiversitetin dhe klimën.

Që nga fillimi i saj në vitin 1961, WWF, e njohur globalisht për pandën e tij, është zgjeruar nga mbrojtja e llojeve dhe habitateve në ruajtjen e botës së egër, pyjeve, deteve dhe sistemeve të ujërave të ëmbla, si dhe transformimin e tregjeve, praktikave bujqësore të dobishme për klimën dhe mjedisin ashtu dhe përmirësimin e menaxhimit të burimeve natyrore. Ajo është rritur në një organizatë globale multikulturore që operon në afro 100 vende dhe mbështetet nga më shumë se 35 milion njerëz duke përdorur zërin dhe veprimet e saj për të krijuar një botë më të drejtë, më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme. WWF Adria operon në rajonin tonë, duke mbuluar zonën e Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë Veriore, Sllovenisë dhe Serbisë.

“Megjithëse zyrtarisht kemi ekzistuar vetëm për gjashtë vjet, WWF ka qenë e pranishme këtu që nga fillimi i këtij shekulli,” tha Natasa Kalauz, drejtoreshë e WWF Adria. “Së bashku me një numër partnerësh, ne jemi duke punuar në ndryshime të rëndësishme si ndalimi i tarifave nxitëse për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël ose përmirësimin e menaxhimit të zonave të mbrojtura. Ne jemi krenarë për punën tonë shumë vjeçare në krijimin e rezervatit ndërkufitare të biosferës Mura-Drava-Danub, e cila duhet të njihet nga UNESCO këtë vit “.

Kalauz thekson se WWF ka një rol të rëndësishëm në ruajtjen e Detit Adriatik, por edhe peshkatarëve dhe komuniteteve të tjera që varen nga ai. Përmes krijimit të zonës së parë të ndalimit të peshkimit në Parkun Natyror Telaçica, të miratuar në bashkëpunim me peshkatarët, dhe promovimin e turizmit të qëndrueshëm, WWF mbron njëkohësisht Adriatikun dhe forcon ekonominë përmes të ashtuquajturve projektet e Ekonomisë së Kaltër.

“Në të gjithë botën, WWF po punon për të mbrojtur llojet më të famshme të kafshëve, si dhe për të rikuperuar popullatat e tyre në natyrë. Rajoni ynë është shtëpia e shumë kafshëve të nevojshme për mbijetesën tonë dhe ne duam t’i ruajmë dhe mbrojmë ato, dhe të përmirësojmë marrëdhëniet midis njerëzve dhe mishngrënësve tanë të mëdhenj: ujkun, rrëqebullin dhe ariun. Natyra gjithmonë ka qenë në gjendje të bëjë pa ne, por ne njerëzit nuk mund të bëjmë pa natyrën. Në WWF, ne jemi të vendosur të kontribuojmë për një të ardhme në të cilën të dy, njerëzit dhe natyra, lulëzojnë” përfundon Kalauz.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Që nga data 28 Prill, një nga restorantet më të…