Për pesë muaj 6 të vdekur në vendin e punës
Institucionet e vendit vazhdojnë të përsërisin përkushtimin e tyre për rritjen e nivelit të sigurisë së punëtorëve në vendin e punës, por të dhënat në terren flasin për rezultate jo pozitive.
Edhe më tej punëtorët në Kosovë punojnë në kushte dhe rrethana jo të përshtatshme, ku raportimet për lëndime të lehta, të rënda, me pasoja të invaliditetit të përjetshëm e deri te humbja e jetës, vetëm sa po shtohen. Që nga janari i këtij viti e 6 persona kanë humbur jetën në vendet e tyre të punës.
Mëngjesin e së enjtes ka humbur jetën një punëtor, i cili ka ranë nga lartësia në një objekt ku po punonte.
Rastin e ka konfirmuar për “Gazetën Alo”, edhe Inspektorati i Punës, për të cilin kanë thënë se ekipet e tyre kanë dal në vendin e ngjarjes.
Basri Ibrahimi nga ky Inspektorat, ka thënë se është shqetësuese numri i të vdekurve në vendin e punës.
Ai tha se si Ministri e Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm për evidentimin e problemeve që po u ndodhin punëtorëve në vendin e tyre të punës. Sipas tij, prej fillimit të vitit 2018 kanë ndodhur 6 raste me vdekje të punëtorëve duke përfshirë edhe rastin e sotëm.
“ Ekipet janë në teren duke shqyrtuar rastin e sotëm. Fatkeqësisht po vazhdojnë këto ndodhi të tilla që janë shqetësuese për ne. Si ministri po ndërmarrim hapat tonë, ndërsa që nga fillimi i janarit të këtij viti kanë ndodhur 5 raste plus 1 sot, ku punëtorët kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës, veçanërisht në sektorin e ndërtimtarisë”, ka thënë Ibrahimi.
Ndërkaq, Jusuf Azemi nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka thënë se vazhdimisht kanë kërkuar nga institucionet që të respektohet ligji i punës dhe sigurisë së punëtorëve.
Siç thotë Azemi kërkesat e tyre vazhdimisht kanë hasur në vesh të shurdhër, ndonëse një kërkesë të tillë i kishte bërë edhe kryeministrit Ramush Haradinaj. Ai thotë se kanë kërkuar të bëjnë edukimin punëtorëve dhe kompanive për sigurinë e tyre në punë.
“Institucionet janë të thirrura që ta përmirësojnë vendin e punës së çdo punëtori. Fatkeqësisht ato nuk janë duke bërë absolutisht asgjë në më këtë çështje. Ne kemi marr iniciativë, kemi kërkuar si sindikatë në mbështetje më Ministrinë e Punës, që të dalim dhe të bëjmë edukimin e punëtorëve dhe kompanive private. Në shumë kompani private, e kemi thënë dhe e themi përsëri se jeta e punëtorit në sektorin privat, është e pavlefshme”, ka thënë Azemi.
Azemi tutje thekson se të dhënat në teren janë shqetësuese për sigurinë e punëtorëve.
Ai thotë se që nga viti 2000 është shënuar rekord me numrin e rasteve të vdekjeve të punëtorëve.
“Të dhënat janë shqetësuese dhe tregon se nuk jemi përgjegjës si shoqëri dhe nivel institucional për këtë dukuri. Kemi rekord që nga viti 2000 të vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës, dhe në vend se numri i vdekjeve të ulët po ndodhë e kundërta. Brenda katër muajve në vendin tonë kanë ndodhur 5 raste me humbje jete. Shqetësimet tona janë të ngritura nga niveli më i ulët në atë të lartë, edhe te kryeministri direkt kam kërkuar zbatimin e ligjit të punës dhe mbi sigurinë e punëtorit”, ka thënë Azemi.
Kujtojmë se vetëm brenda vitit të kaluar, 14 persona në sektorin e ndërtimtarisë kanë ndërruar jetë në vendet e punës.