Për pesë muaj, deputetët shpenzuan 25 mijë euro për udhëtime e mbushje telefonike
Gati 25 mijë euro i kushtuan buxhetit të shtetit vetëm udhëtimet zyrtare dhe shpenzimet telefonike të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Udhëtimet zyrtare jashtë vendit për deputetët e Kuvendit të Kosovës nisën në Shqipëri për të vazhduar më pas për në vendet më të shtrenjta, si në Francë, Austri, Turqi dhe qendra tjera botërore. Nga të dhënat që Demokracia.com ka siguruar nga Kuvendi i Kosovës për muajin qershor, korrik, gusht e shtator, nga buxheti i shtetit u shpenzuan mbi 11 mijë euro vetëm për mëditje, udhëtime zyrtare dhe akomodime të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i kishte tri udhëtime zyrtare gjatë këtyre muajve, në Shqipëri, Gjermani dhe Bruksel, ku shpenzoi gjithsej 987.15 euro.
Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kishte gjithsej katër udhëtime dhe shpenzoi gjithsej 1 mijë e 528 euro.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, kishte tri udhëtime gjatë këtyre muajve të raportuar nga Kuvendi i Kosovës. Ai ishte në Shqipëri, në Turqi dhe në Francë, ku shuma e shpenzimeve që bëri arrin në 1 mijë e 557.4 euro, raporton Demokracia.com.
Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, i ka realizuar disa vizita zyrtare. Ai ka qenë në Turqi dhe Panama, ku gjithsej shpenzoi 1 mijë e 482.77 euro.
E shpenzime me të ulëta patën deputetët e tjerë, ndërsa në total shuma e shpenzuar për udhëtimet zyrtare dhe akomodim që patën deputetët e Kuvendit të Kosovës në muajin qershor, korrik, gusht e shtator kap vlerën e 11 mijë e 533.2 euro.
Shpenzime akoma më të larta të deputetëve të Kuvendit të Kosovës janë ato të telefonisë mobile nga Telekomi, ku për pesë muaj shpenzuan mbi 13 mijë euro.
Nga të dhënat që Demokracia.com ka siguruar nga Kuvendi i Kosovës shihen se shpenzimet më të larta të telefonisë mobile ishin në muajin prill të këtij viti për deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës për muajt prill, maj, qershor, korrik e gusht i dhanë Telekomit plot 13 mijë e 379.43 euro. Ndërsa, për udhëtimet dhe akomodimet, pa përfshirë edhe biletat e udhëtimit që Kuvendi nuk i ka raportuar, deputetët për muajin qershor, korrik, gusht e shtator kap vlerën e 11 mijë e 533.2 euro.
Në total vetëm për shpenzime telefonike dhe shpenzime të pjesshme për udhëtime zyrtare, pa biletat e udhëtimit, deputetët i kushtuan 24,912.63 euro buxhetit të shtetit.