Për Programin 2018, presin mbështetje 1 642 projekte bujqësore
Një numër i madh i fermerëve dhe agrobizneseve kanë aplikuar për të përfituar përkrahje në projektet e tyre në kuadër të masave mbështetëse të “Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2018”.
Janë 1,642 projekte të ndryshme të zhvillimit rural, të cilat janë pranuar në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB).
“Të gjithë ata aplikues që do t’i plotësojnë kriteret e parapara në thirrjen për aplikim, duke u bazuar në Programin për Projektet e Zhvillimit Rural dhe Udhëzimit Administrativ 2018 për masat e shpallura, për të cilat buxheti i ndarë këtë vit arrin shumën në 19 milionë euro, do të mbështeten përmes granteve investive”, është thënë në njoftimin e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.
Më tej në këtë njoftim thuhet se në krahasim me vitin e kaluar, ka rritje të numrit të aplikuesve me projekte të zhvillimit rural.
“Vitin e kaluar në Zyret Regjionale të AZHB-së, kanë aplikuar 1,447 projekte për mbështetje përmes granteve investive”, është thënë në njoftimin e AZHB-së.
Kryeshefi ekzekutiv i AZHB-së, Elhami Hajdari, ka bërë me dije se nga java e ardhshme, Drejtoria e Miratimit të Projekteve në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, do të fillojë me vlerësimin e projekteve, bazuar në kriteret e publikuara në kohën e shpalljes së thirrjeve, e që janë edhe tani publike në ueb-faqen e MBPZHR-së dhe AZHB-së.
Ai ka thënë se kjo agjenci ashtu sikur vitet e kaluara, do të jetë transparente gjatë tërë procesit, duke i informuar fermerët përmes sms-ve dhe vendimeve në e-mail, si dhe përmes uebfaqes së AZHB-së për rezultatet lidhur me procesin.
Afati për aplikim për masat mbështetëse të këtij viti ishte shpallur më 19 mars të këtij viti dhe afati për aplikim ka qenë i hapur deri më 30 prill.
/Epoka e re/