Për realizmin e projektit ‘Jeta’ jepen 16 milionë dollarë
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka takuar përfaqësuesit e MCA Kosovë, me të cilët ka diskutuar për projektin ‘Jeta’ dhe planet për fillimin e implementimit të tij, i cili projekt realizohet në kuadër të Programit Kompakt me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit.
Për realizmin e projektit ‘Jeta’, janë të dedikuara 16 milionë dollarë nga programi më i madh i energjisë me MCC-në. Ky projekt ka dy objektiva kryesore, të nxisë trajnimin dhe shkathtësimin e të rinjve, të cilët mund të kontribuojnë në sektorin e energjisë apo sektorë të ngjashëm, si dhe të rrisë pjesëmarrjen grave në sektorin e energjisë.
Ky projekt pritet të lehtësojë tranzicionin e energjisë të udhëhequr nga Qeveria e Kosovës, duke krijuar mundësinë që fuqia punëtore që fitojnë shkathtësitë e kërkuara, e njëherazi të ofrohet asistencë teknike për punëdhënësit në fushën e energjisë dhe në këtë mënyrë, të rritet edhe përfaqësimi i grave në këtë sektor.
Me këtë rast, ministrja Rizvanolli ka theksuar se teksa ndërtojmë kapacitete për ruajtjen e energjisë në njërën anë, e kapacitete të reja për gjenerim të energjisë në anën tjetër, është tejet e rëndësishme të sigurohemi që kemi fuqi punëtore të shkathtë e gjithëpërfshirëse, për t’i realizuar e mirëmbajtur ato me sukses.
Ajo po ashtu ka kujtuar se sektori i energjisë, ekonomia dhe shoqëria jonë, janë vetëm të forta aq sa janë edukimi dhe trajnimi i fuqisë tonë punëtore. “Ato mund të jenë të forta dhe të drejta, vetëm nëse të gjithë kontribuojnë në mënyrë aktive me aftësitë, njohuritë dhe idetë e tyre, por gjithashtu përfaqësohen dhe përfitojnë nga zhvillimi ekonomik në mënyrë të barabartë”, ka theksuar Rizvanolli.
Projekti Jeta është pjesë e Programit Kompakt me MCC-në, i cili është projekti më i rëndësishëm i energjisë, ku përmes këtij projekti, Kosova do të ketë rezerva të energjisë përmes baterive të kapacitetit prej 340 MWh. Programi Kompakti ka vlerën e 236.7 milionë dollarësh, janë 202 milionë dollarë janë grant i fituar nga
Qeveria amerikane dhe 34.7 milionë dollarë të dedikuara nga Qeveria e Kosovës.