Për Rexhën nuk kishte dy rrugë
Izmi Zeka
Idealizmi urban i heroit Rexhep Mala në disa pamje (3)
Për të vazhduar më tutje, ku thekson: “Në dosjet e SPB-së të Kosovës cekët qartë se Rexhep Mala ishte ndër të burgosurit më të pathyer, i cili më së gjati kishte mbajtur grevë uri. Megjithëkëtë ai arrin që edhe pse në kushte të vështira, të shkruaj ditarin nga burgu ‘Kujtime nga Burgu’, ku paraqet jetën shumë të vështirë dhe torturat më çnjerëzore mesjetare të UDB-së, që ishin përdorur e ushtruar kundër tij”.
Pas Luftës së Dytë Botërorë në të gjitha dokumentet dhe artikujt e shkruar, miqtë, bashkëvuajtësit kanë një të përbashkët për qëndrimin e Rexhep Malës nëpër burgjet jugosllave. “Qëndroj përballë kriminelëve të egër, që mund të thuhet i veçantë në përballje me ta. Asnjë fjalë nuk nxorën nga goja e tij për organizimin dhe përpjekjet për çlirim”.
Organizimi ilegal dhe veprimtaria atdhetare prej viteve ’70-ta e këtej e Rexhepit llogaritët ndër organizimet më funksionale, intelektuale por edhe me jetëgjatësi të funksionimit të përpjekjeve ilegale për liri pas Luftës së Dytë Botërorë.
Organizmi me në krye Mehmet Hajrizin, Hydajet Hysenin, Kadri Zekën, Gani Sylën, Ismajl Sylën, Bejtullah Tahirin, Nazmi Hoxhën, Berat Luzhën e shumë të tjerë, paraqesin plejadën më të rëndësishme dhe më të organizuar në trevat shqiptare.
Në librin “Qëndresa” Rexhep Mala shkruan: “Burgu i Prishtinës është një ndër burgjet më famëkeqe që kam parë dhe, njëmend vështirë të besohet se në Evropën e qytetëruar mund të ketë labirinte të tilla. Pamja e tij do të tmerronte opinionin. Mjafton ta shikojë dikush këtë qymez udbesk, për të kuptuar në esencë politikën diskriminuese shfarosëse serbomadhe në Kosovë”.
Nuk duhet shumë për të analizuar këtë përshkrim të Rexhës. Mjafton të lexosh dhe të shohësh se në çfarë mënyre ishte trajtimi i të burgosurve shqiptarë.
Fjalë në promovim të librit “Nga Grupi Revolucionar të Fronti i Republikës”, Mehmet Hajrizi shkruan: “Publikimi i librit, tani në kohë lirie dhe në rrethana krejt të tjera historike për kombin tonë, vjen në këtë janar si një dhuratë lexuesve dhe nderim me pietet për të rënët e kësaj organizate të Lëvizjes sonë Kombëtare, Kadri Zeka, vrarë bashkë me Jusuf e Bardhosh Gërvallën në mërgim, Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha, Naser Hajrizi e Asllan Pireva, Bajram Bahtiri e Zija Shemsiu, Afrim Zhitia, i rënë bashkë me Fahri Fazliun me armë në dorë, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, e cila u flijua bashkë me të shoqin, Fehmi Lladrovci në rezistencë kundër forcave pushtuese serbe, Isa Kastrati e Abdullah Tahiri dhe Hafir Shala e Avdil e Gafurr Luma. Këto dokumente dhe materiale botohen edhe në vigjilje të 34-vjetorit të kryengritjes së vitit 1981 në Kosovë”.
E përmenda këtë fjalë rasti për të shkoqitur pamjen dhe luftën titanike të Rexhës dhe organizimit që i përkiste apo thënë më qartë për lexuesin tonë, ishte themelues i saj, prej së cilës dolën ideologët kryesor, deri në themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rexhep Malaj, duhet të trajtohet në shumë kënde për të njohur figurën e tij, e cila vlerësoj se mund të përkufizohet si vijon.
Rexhep Mala themelues dhe organizator i grupit revolucionar.
Rexhep Mala, intelektual dhe politikan i kohës.
Rexhep Mala ideatori i luftës guerile në Kosovë.
Rexhep Mala vazhdues i rilindësve dhe Rexhep Mala vetë ideja e një shteti të shqiptarëve në Ballkan.
Në gjykimin e vitit 1976, para Gjyqit të Qarkut të Prishtinës, ku po gjykohej Adem Demaçi, Rexhep Malaj dhe 17 veprimtarë të tjerë, që e udhëhiqte gjykatësi Durmish Koçinaj, për çka vullnetarisht ishte paraqitur që ta udhëhiqte këtë proces gjyqësor, do të zhvillohet ky dialog në mes gjykatësit dhe Rexhep Mala, përkitazi me një telegram që tre shokë, në mesin e tyre edhe Rexhep Mala, ia kishin dërguar udhëheqjes së Shqipërisë para se ata të burgoseshin. “A keni shprehur admirim ndaj Shqipërisë dhe udhëheqjes së sajë, në këtë telegram?!” – e pyet gjykatësi.
– “Kemi shprehur, shprehim dhe do të shprehim tërë jetën admirim ndaj atdheut tonë të shtrenjtë, Shqipërisë, dhe udhëheqjes së saj!!” – përgjigjet Rexhep Mala, duke u ngritur në këmbë me grushtin lartë. S.N
Nëna Shqipëri ishte adresa dhe ideali nga edhe s’mund të lëvizej. Andaj edhe në gjykim, Rexha nuk heziton të shprehë atdhedashurinë që kishte për shtetin shqiptarë.
Në punimin shkencor gazeta “Zëri i Kosovës” dhe roli i saj patriotik, të autores Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha theksohet: Si vazhdimësi e grupeve të mëhershme ilegale patriotike shqiptare në Kosovë ishte edhe organizata patriotike ilegale “Grupi Revolucionar”, që u formua në vitin 1972.
Në aktgjykimin e anëtarëve të grupit nuk thuhet se me cilën datë është formuar organizata, por, dihet me saktësi se organizata u formua nga patriotë të njohur të jetës ilegale. Po shënojë renditjen sipas përgjegjësisë dhe në harkun kohor 73-82 të anëtarëve të Komitetit Drejtues të Organizatës. Kadri Osmani (73-74), Mehmet Hajrizi (73-82), Xhafer Shatri (73-74), Binak Ulaj (73-74), Feriz Seferaj (73-74), Gani Sylaj (74-79), Hydajet Hyseni (74-82), Kadri Zeka (75-82), Sherafedin Berisha (75-77), Jakup Krasniqi (80-82), Berat Luzha (80-82), Bejtullah Tahiri (81), Nezir Myrtaj (81-82), Basri Musmurati (81).
Grupi Revolucionar kishte formuar si pjesë të vetën organizative një komitet të studentëve në pranverën e vitit 1974 në përbërje: Xhafer Shatri – përgjegjës, dhe anëtarët Rexhep Mala (zëvendës), Gani Sylaj, Hydajet Hyseni dhe Ilmi Ramadani.
Pra edhe nga ky punim shihet qartë, se veprimet organizative dhe politike, në harkun kohor prej vitit 1972 e këtej ishin të lidhura ngushtë me veprimtarinë e simbolit të qëndresë Rexhep Mala.
Autorja Sabile Keqmezi në këtë punim arrin që të shpërfaq organizimin e këtij grupi duke u mbështetur në fakte, dokumente dhe arkiva shtetërore.
Rexha ishte shembulli i një politike reale që për kohën dhe vitet ishte mjaftë e vështirë dhe shtrirja e saj, paraqiste rreziqe tepër të mëdha. Në këtë kostelacion të forcave në njërën anë regjimi serb dhe në anën tjetër pushteti krahinor, bënte shtypjen e egër dhe diskriminimin e pashoq ndaj popullatës shqiptare në Kosovë. Në këtë prizëm edhe veprimtaria e Rexhep Malës me shokë, paraqet rrugën tepër të vështirë dhe me plotë rreziqe për jetën e tij dhe të familjes.
Mehmetali Rexhepi, një studiues i mirëfilltë, në promovimin e librit “Rexhep Mala – Anteu i lëvizjes ilegale”, Prishtinë, 2007, të Selatin Novosellës, përveç të tjerave, shkruan: “Rexhep Mala nuk ishte i prirë për aventura. Format e luftës guerile që përuronte, për indiferentët e pangjyrë dhe të përgjumurit e përjetshëm, për kokat me ndërgjegje të papastër, ishin aventura të rrezikshme”.
“Aventurës” së përgjakshme me pushtuesit, rrjedha dialektike e ngjarjeve i dha të drejtë. Një pasqyrim i qartë i luftës së Rexhës, që e ceka edhe më lart, në kohën kur veproj, dukej krejt jo e natyrshme nga ta që i shërbenin pushtuesit serbo sllav.
Me të drejtë Mehmetali Rexhepi konstaton se Rexhës koha i dha të drejtë dhe veprimet e tij ishin të harmonizuar me vullnetin shpirtëror të shqiptarëve kudo.
E drejta për shtet, për të qenë i lirë, nuk ka kufij. Nga ky shikim, heroi i sotëm u përmbahet rregullave dialektike, që ishin universale për shoqëritë e civilizuara. Guerili i viteve ’70 e këtej, përpjekjen për liri e futë në sistemin urban, që me të drejtë shumë autorë e cilësojnë si njeriun që theu tabut dhe klishetë që kishte vendosur sistemi dhe dukej i pathyeshëm. Andaj edhe me të drejtë edhe Selatin Novosella librin e tij e titullon “Anteu i lëvizjes ilegale”.
Në librin “Qëndresa”, Rexhep Mala mbulon arsyeshëm një pjesë të përpjekjeve të lëvizjes ilegale, pasqyrimin, torturat, këngët e herëpashershme, krenarinë, qëndrimin para UDBA-shëve që shtruar në dimensionin historik, plotëson një pjesë të asaj që ende edhe sot nuk ka pasqyrim real.
Edhe kur mbahet gjykimi i të burgosurve politikë shqiptarë në vitin 1975 në krye me Adem Demaçin, Rexhep Mala u jep kuptim dhe vërtetësi fjalimeve të shokëve, qëndrimin e tyre etj. Ai merr shembull qëndrimin e të riut gjatë qëndrimit në burgjet italiane, Qemal Stafa, dhe shton “se ishte një shembull unik që më jepte forcë për t’u sfiduar edhe para gjykatësve dhe për ta mbrojtur kauzën tonë kombëtare”.
Për të argumentuar këtë, ai shton: “Shpreha hapur mendimin para gjyqit, siç kisha shprehur edhe në polici para torturuesve mizorë. Fola për padrejtësitë që i janë bërë Kosovës duke e shkëputur me dhunë nga trungu amë, Shqipëria, fola për gjendjen e vështirë dhe të pabarabartë të shqiptarëve në Jugosllavi, për politikën shfarosëse e kolonialiste të Jugosllavinë ndaj Kosovës dhe viseve tjera të banuara me shqiptarë. Në fund u thashë se nuk e ndiej veten fajtor as nuk po pendohem fare për botëkuptimet e mia politike”.
Gjykimi i Anteut ishte përballje me bishat ku fjalimi i Rexhës ishte mesazh, guxim, refleksion, optimizëm e, mbi të gjitha, ishte rrugë të cilën do ta ndiqte tërë jetën deri në rënien e tij në Kodrën e Trimave.
Për Rexhën nuk kishte dy rrugë. Ai ishte ngritur mbi kohën, mbi rezonin politik të kohës, mbi këlshedrat e kohës që, shikuar nga këndi tani më historik, ndryshoi perceptimin e krijuar me vite, se Kosova dhe shqiptarët do ta duronin shtypjen përjetësisht. Gjyqi u kthye në arenë të mbrojtjes së kauzës kombëtare, u kthye në gjyq për ata që dënonin djemtë dhe intelektualët e kohës.
Dënimet ishin të rënda. Nëntë vjet burgim të rëndë për Rexhën. Pranë grilave rrinte njeriu që prishi baraspeshimin e shtetit “demokratik” duke e zhveshur deri në thellësi regjimin e egër serb dhe atë shqiptar në Kosovë. (Vijon)