Për shkak të mungesës së ujit, sot nuk po realizohen operime në Spitalin e Mitrovicës
Mitrovica po vazhdon të përballet me mungesë të furnizimit të rregullt me ujë, duke vështirësuar kështu jetën e qytetarëve dhe funksionimin normal të jetës, shkruan Veriu.info.
Ndalja e furnizimit me ujë nga KRU “Mitrovica” ka krijuar probleme të mëdha edhe në Spitalin e Mitrovicës, ku po shtyhen operimet e planifikuara për sot.
Këtë e ka konfirmuar edhe drejtoresha e Spitalit të Mitrovicës Luljeta Zhubi Buçinca.
Ajo në një deklarim për Gazetën Online Veriu.info ka konfirmuar se si pasojë e mungesës së ujit operimet e planifikuara nuk po realizohen.
“Për shkak të mungesës së ujit operimet e planifikuara sot nuk po mbahen. Rezervat e ujit ruhen për rastet e operimeve urgjente” – deklaroi drejtoresha Zhubi.
Kujtojmë që menaxhmenti aktual i KRU “Mitrovica” po vazhdon dështimin në menaxhim duke rikthyer reduktimet e viteve të paluftës me ujë.