Për shkak të pandemisë Covid-19, pati shumë pak gjoba të shqiptuara për mjedisin

28 shtator 2020 | 18:48

“Let’s Do It” ka njoftuar se ka vazhduar monitorimin e zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Ndëshkime me Gjoba Mandatore si dhe të rregulloreve komunale për mjedis.

“Qysh në fillim kanë qenë efikase të gjitha masat e marra në bashkëpunim me inspektoratet komunale derisa koha e pandemisë Covid-19 ka bërë që këto udhëzime në shumë komuna të mos gjejnë zbatim dhe as ndëshkim për mosrespektim e gjithë kjo si rezultat i angazhimit të stafit përkatës në stafe emergjente kundër Covid-19. Mirëpo ne si organizatë mbrojtëse e mjedisit po mundohemi t’ua bëjmë me dije institucioneve që mos t’i anashkalojnë temat mjedisore as në një situatë të tillë pandemike”, ka njoftuar “Let’s Do It”.

Nga të dhënat e kërkuara për secilën komunë në Republikën e Kosovës se sa gjoba mandatore janë shqiptuar gjatë muajit gusht 2020, “Let’s Do It” ka arritur në këtë raport përfundimtar: Institucionet përkatëse në gjithë Republikën e Kosovës gjatë muajit gusht sipas Udhëzimit Administrativ dhe Rregulloreve Komunale kanë shqiptuar gjithsej katër gjoba. Gjobat u shqiptuan nga këto komuna: Lipjan (1) Deçan (në vend të gjobës me vlerë monetare është negociuar me kompaninë që ka bërë shkelje dhe në këmbim të gjobës kanë rënë në ujdi që të pastrohet zona përreth) Prizren (1), Istog (1), raporton “Epoka e re”.

Në komunat të cilat nuk shqiptuan asnjë gjobë mandatore gjatë muajit gusht janë: Komuna e Rahovecit, Gjakovës, Mitrovicës, Shtimes, Fushë-Kosovës, Vitisë, Kaçanikut, Hanit të Elezit dhe Obiliqit. Kurse nga komunat Podujevë, Vushtrri, Ferizaj, Gjilan, Kamenicë, Junik, Suharekë, Drenas, Skenderaj, Pejë, Klinë, Malishevë nuk kemi marrë asnjë raport. “Vlen të theksohet se nga raportet e marra rezulton që Komuna e Mitrovicës së Jugut nuk ka fare inspektor të mjedisit qysh nga muaji janar i vitit 2020. Si dhe është e kënaqshme se si po arrihen marrëveshjet mes institucioneve dhe dëmtuesve të mjedisit, duke bërë kështu që të rritet vetëdija dhe ndërgjegjësimi për pronat publike”, theksohet në njoftimin e “Let’s Do It”.

Gjithashtu, duhet cekur se Udhëzimi Administrativ për Ndëshkime me Gjoba Mandatore është në fuqi që nga viti 2009 dhe në fushatën “Ta Pastrojmë Kosovën”, 15 shtator – 15 dhjetor 2018, ka ndodhur plotësim-ndryshimi i tij.

Ky udhëzim ka synim reduktimin dhe eliminimin e ndotjes së mjedisit dhe mbrojtjen e shëndetit të njeriut, po ashtu mbrojtjen e sipërfaqeve publike dhe private përmes menaxhimit të mbeturinave.

“Let’s Do It” ka bërë me dije se monitorimi i zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore do të vazhdojë edhe gjatë muajve në vijim, kur edhe do të bëhen publike të gjitha të dhënat. “Për shkak të pandemisë Covid-19 kishte shumë pak gjoba të shqiptuara gjatë muajit gusht, por duke shpresuar në normalizim të situatës dhe në ndërgjegjen institucionale, besojmë se gjatë muajve në vijim gjobat mandatore do të gjejnë zbatim në vendin tonë”, është theksuar në këtë njoftim të “Let’s Do It”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Punëve të Brendshme, si bartëse e politikave për…