Për shkak të pandemisë dhe zgjedhjeve lokale, regjistrimi i popullsisë mund të shtyhet për vitin tjetër

09 qershor 2021 | 17:04

Në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere ka raportuar të mërkurën ministri i Financave, Hekuran Murati, si dhe përfaqësues të Agjencisë së Statistikave të Kosovës lidhur me regjistrimin e popullsisë.

Gjatë raportimit në komision, ministri Murati ka thënë se për shkak të pandemisë dhe zgjedhjeve regjistrimi i popullsisë mund të shtyhet në pranverën e vitit të ardhshëm. “Sa i përket regjistrimit të popullsisë, ka qenë e paraparë të ndodhë çdo 10 vjet, por është problem të ndodhë sivjet për shkak edhe të zgjedhjeve lokale. Ky proces mund të mbahet në pranverë të vitit të ardhshëm”, ka thënë ai.

Nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, Ilir Berisha ka treguar se kanë filluar përgatitjet që nga viti 2018 në mënyrë që të ketë sukses në procesin regjistrimit të popullsisë. Ai ka thënë se buxheti është i planifikuar, mirëpo që nuk flitet vetëm për regjistrimin e popullsisë, por përfshin edhe projektet me vlerë mbi 12 milionë euro.

“Agjencia është duke realizuar të gjitha aktivitetet, përpos aktiviteteve, edhe përgatitjet për regjistrimin e popullsisë që kanë filluar në vitin 2018. Ky plan është ndarë në katër faza: formimi i grupit  punues, buxheti, operimi në terren. Sfida për regjistrimin e popullsisë është data e regjistrimit. Regjistrimi nuk duhet të jetë në ngjarje të mëdha politike siç janë fushatat dhe mos të ndodhë në kohë të fatkeqësive natyrore. Buxheti është i planifikuar, për regjistrim nuk flitet, mirëpo prej fillimit buxheti ishte mbi 12 milionë”, ka thënë Berisha.

Deputeti i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se do ta ofrojnë mbështetjen për qeverinë pasi që është proces i rëndësishëm, derisa ka shtuar se e rëndësishme është që regjistrimi të ndodhë për të gjithë qytetarët.

Edhe deputetja Duda Balje ka thënë se regjistrimi duhet të ndodhë edhe për komunitetet joshumicë, pasi që herën e fundit serbët në veri e patën refuzuar këtë proces. Deputeti nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj, ka treguar disa nga sfidat që do të hasin gjatë këtij procesi. “Sfida më e madhe është shtrirja në tërë territorin e Kosovës. Sfidë tjetër është që ne hyjmë në dialog dhe ju e përmendet stabilitetin politik”, ka thënë Lekaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrojtësi Alessio Romagnoli është në “radar” të Barcelonës. “Mundo Deportivo”…