Për më shumë art në hapësirat publike
Komuna e Prishtinës përmes Drejtorisë për Kulturë Rini dhe Sport ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me OJQ Q’ART, me synim që të pasurohen dhe zhvillohen aktivitetet kulturore të ndërlidhura me artin në hapësira publike në kryeqytet.
“Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në komunën e Prishtinës dhe OJQ Q’ART, dëshirojnë të lidhin marrëveshje me të cilën të gjitha palët do të punojnë së bashku për realizim të projekteve në dobi të qytetarëve të Prishtinës, sipas synimeve të përcaktuara në kulturë dhe turizëm. Zhvillimi dhe zbatimi i programeve të reja arsimore me fëmijët dhe të rinjtë në komunën e Prishtinës është një komponentë e rëndësishme për të rritur dhe theksuar talentin e të rinjve”, është thënë në njoftimin e komunës së Prishtinës.
Partnerët ranë dakord të bashkëpunojnë në zbatimin e këtij programi:
Festivali Meetings of Style – është festival që mbledhë artistë të muraleve dhe grafiti artistë nga e gjithë bota me idenë e pasurimit të mureve me vepra artistike;
Art në Hapësirat Publike – Përmes konkurseve apo një konkursi më të madh synohet nxitja e artistëve të jenë pjesëmarrës në realizim dhe ideim të veprave artistike nëpër hapësirat publike të Prishtinës. Këtu përfshihen, mure, sheshe, parqe dhe ambiente tjera të ngjashme;
Organizimet që ndërlidhen me aktivitetin e zhvillimit të artit në hapësira publike – komuna e Prishtinës ka nevojë për një plan pune në zhvillim dhe nxitje të artit në hapësira publike. Veçanërisht arteve figurative që ndërlidhen me fushat e muraleve, grafitit, skulpturës, relievit, mozaikut dhe të ngjashme.
/Epoka e re/