Për të eksportuar në BE kërkohet rritje e cilësisë
Për të eksportuar produktet e Kosovës në tregun evropian, duhet cilësi më e lartë dhe plotësim i kërkesave dhe standardeve të BE-së. Kjo u tha në diskutimin që Zyra e BE-së në Kosovë, në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimeve, e organizuan në kuadër të diskutimeve për të njoftuar qytetarët për MSA-në, në komunën e Kaçanikut me temën “Prodhimi vendor dhe tregu i BE-së”.
Aty u theksuan edhe nevojat dhe kërkesat e prodhuesve vendor të cilët kërkuan rregullim të tregut dhe më shumë mbështetje.
Duke folur për rëndësinë e bujqësisë në komunën që ai drejton, kryetari i komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi tha se përmes këtyre projekteve janë fermerët ata që përfitojnë.
“Fermerët nuk duhet të orientohen vetëm drejt subvencioneve, por të kërkojnë edhe këshilla e trajnime se të arrihet cilësi dhe rendiment më i lartë. Këto këshilla e trajnime ofrohen falas nga Bashkimi Evropian, nga Banka Botërore, nga Ministria e Bujqësisë, Agjencia e Ushqimit e Veterinës, etj”, ka thënë Ilazi.
Ndërkaq, kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, u shpreh se problemi kryesor është tek tregu, pasi sipas tij pikat grumbulluese janë duke bërë manipulime dhe nga ana e institucioneve qendrore nuk ka masa që i kushtëzojnë ato.
“Ajo që është shqetësuese për ata që kanë mbjellë mjedrat, është dashur t’i asgjësojnë ato pikërisht për shkak të tregut; këto pikat grumbulluese thjeshtë po tallen me qytetarët. Nuk kemi ndonjë masë prej nivelit shtetëror që i kushtëzon pak dhe ata që merren me blerje dhe shitje”, tha Suma.
Menaxherja e programeve në sektorin e bujqësisë pranë Zyrës së BE-së në Kosovë, Daniela Topirceanu, ka theksuar rëndësinë e MSA-së dhe kërkesat që i ka BE-ja për produktet e Kosovës për t’u bërë konkurrues në tregun e BE-së.
“Tregu evropian ka shumë kërkesa të cilat ceken edhe në legjislacionin e BE-së dhe Kosova që të mund të eksportojë në tregun e saj, duhet t’i ketë parasysh të gjitha këto kërkesa që i ka tregu evropian. Shumica e audiencës këtu janë prodhues. Ajo çka duhet të mbani në mend është që të gjitha produktet që eksportohen në Bashkimin Evropian, duhet të plotësojnë kërkesa të caktuara dhe të kalojnë kontrollimet e caktuara”, ka thënë ajo.
Për mbështetjen e institucioneve, foli shefi i divizionit për përkrahje direkte dhe politika tregtare në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Habil Zeqiri.
Ai ka shpjeguar disa nga masat që ka ndërmarrë ministria për t’i subvencionuar fermerët dhe për të përmirësuar këtë sektor.
“Ne jemi në fazën e hartimit të një strategjie për avancimin e ndërmarrjeve agro-ekonomike. Kjo lidhet me produktet që kanë nevojë për përpunim shumë të shpejtë, mjedra, dredhëza, vishnje. Jemi në hartimin e draftit të parë”, ka thënë ai.
/Epoka e re/