Për herë të katërt finalja Golden State – Cleveland
Golden State Warriors dhe Cleveland Cavaliers do të shkruajnë një tjetër kapitull përsa i përket historisë së finaleve të NBA-s.
Për të katërtin vit radhazi të dyja këto skuadra do të diskutojnë çështjen e titullit kampion në ligën më spektakolare të basketbollit në botë.
Nëse në Lindje Clevelandi konfirmoi dominimin e tij, në Konferencën e Perëndimit ishte Golden State që e bëri këtë duke fituar edhe ndeshjen e 7 atë më vendimtare të përballjeve me Houston Rockets. Në “Toyota Center” skuadra kaliforniane fitoi ndaj asaj teksane me rezultatin 101-92.
Houstoni e mbylli periodën e parë me avantazhin e 5 pikëve 24-19, ndërsa në pushimin e ndeshjes arriti me avantazhin 54-43. Kjo nuk mjaftoi sepse me rikthimin në parket për 2 periodat e tjera, Golden State shpërtheu duke e mbyllur 12 minutëshin e tretë me rezultatin e frikshëm 33-15 për ta kthyer përfundimisht situatën në favor duke u shpallur kampion i Konferencës së Perëndimit që i dha edhe biletën e finales së madhe ku Warriors do të kërkojë të mbrojë titullin e fituar vitin e kaluar.
Për Golden State protagonistë u bënë 4 lojtarë, Durant me 34 pikë, Curry me 27 pikë e 10 asistime, Klay Thompson me 19 pikë e Green me 10 pikë e 13 topa në tabelë. Për Rockets, nuk mjaftuan 32 pikët e James Harden, 23 të Eric Gordon e 20 pikët e Clint Capelës për të mposhtur Golden State. Ndeshja e parë e finales së Madhe të NBA mes Cleveland e Golden State do te luhet në mbrëmjen e së enjtes në “Oracle Arena” në Oakland të Kalifornisë. (TopChannel)