‘Për të mbetur në pushtet, pranojnë propozimin për ‘zajednicën’ që u vihet në tavolinë me stilin merre ose lëre’
Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar pas pranimit të draftit të ri të Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga ana e kryeministrit Albin Kurti.
Ai ka shkruar në “Facebook” se me protesta të dhunshme kundër ‘zajednicës’ ia humbën Kosovës 10 vite pa viza e pa progres në integrim euro-atlantik.
“Kërkuan vota në zgjedhjet e fundit, dhe i morën ato, për të mos bërë kurrfarë zajednice, ‘as asi, as ksi’. Sapo e morën pushtetin, në foltore të Kuvendit u betuan ‘zajednica’ nuk bëhet, sepse Kosova ka kryeministër tjetër”, ka shkruar Hoti.
Sipas tij, mandej u zbutën pak, i vendosën disa kushte për ‘zajednicë’, të cilat i harruan plotësisht.
“Nuk e bën ‘zajednicën’ kur aleatët u kërkonin ta bënin sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015, ku kjo e fundit e thotë qartë se asociacioni bëhet kur Gjykata Kushtetuese thotë se ‘statuti i asociacionit është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës'”.
“Tani, për të mbetur në pushtet, pranojnë propozimin për ‘zajednicën’ që u vihet në tavolinë me stilin merre ose lëre. Tani i kthehen marrëveshjes së vitit 2015, ku kërkohet opinioni i Gjykatës Kushtetuese”, ka theksuar Hoti.
Ai ka thënë se këto nuk janë veprime shtetërore.
“Këto janë veprime të politikanëve demagogë e mashtrues, që bëjnë gjithçka për të mbijetuar politikisht e për të mbajtur pushtetin. Gjithë kjo shtyrje do të kuptohej nëse do të kishim një marrëveshje tjetër për ‘zajednicën’, e cila do të ishte më e favorshme për Kosovën. Por jo, këta e kanë pranuar Marrëveshja e Ohrit, e cila përfshinë edhe ‘zajednicën’ edhe autonominë. Gjithë kjo shtyrje do të kuptohej nëse Marrëveshja e Ohrit do të përfshinte njohjen reciproke. Por jo, këta e pranuan Marrëveshjen e Ohrit, e cila thekson qartë: “… pa paragjykuar pikëpamjet e ndryshme të Palëve për çështjet themelore, duke përfshirë çështjet e statusit””, ka deklaruar Hoti.