Për të pagjeturit kërkohet komision ndërkombëtar, që do të hulumtonte arkivat serbe
Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës ka hapur ekspozitën për personat e zhdukur gjatë luftës së vitit 1998/99, me ç’rast kanë kërkuar zbardhjen e rasteve të personave të pagjetur.
Kryetari i këtij këshilli, Ahmet Grajqevci, ka thënë se një nga kërkesat e tyre është që të formohet një komision ndërkombëtar për të hulumtuar arkivat e shtetit serb, me qëllim të zbardhjes së rasteve të personave të pagjetur, e njëherësh kanë kritikuar për mos bashkëpunim Komisionin Qeveritar për të Pagjeturit.
“Bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë presion mbi shtetin serb që të tregojë fatin e 1220 personave që na i mori”, ka thënë Grajqevci.
Ai po ashtu ka kritikuar Komisionin Qeveritar për të Pagjeturit për mungesë bashkëpunimi, e njëherësh ka thënë se institucionet duhej të angazhoheshin më shumë për këtë çështje. “Nëse institucionet ishin marrë më shumë me këtë çështje, nuk do të kishim nevojë për gjykatat speciale, sepse kemi pasur mjaft fakte e të dhëna për të ardhur deri tek e vërteta”, ka thënë Grajqevci.
Kurse, Latif Mehmeti nga Shoqata për Persona të Zhdukur dhe Viktima të Luftës është shprehur i pakënaqur me punën e Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur.
“Gjatë vitit 2018 Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur nuk ka gjetur kohë të takohet me ne. Vërejtja jonë është se Komisioni Qeveritar më shumë ka humbur kohë me vizita jashtë vendit se sa që është marrë direkt me çështjen e të zhdukurve”, ka thënë Mehmeti.
Kurse Haki Kosumi, anëtar i këtij këshilli, ka drejtuar një kërkesë për grupin negociator me Serbinë, që të kthehen me rezultate për zbardhjen e këtij rasti.
Anëtarët e këtij këshilli po ashtu janë shprehur të lumtur që prioritet i dialogut Kosovë-Serbi do të jetë çështja e të pagjeturve dhe janë shprehur të gatshëm që të ndihmojnë institucionet me të dhënat që kanë.
Përndryshe, kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 15 janar të vitit 2019.