Për të tretin vit radhazi shpallet hendbollisti i vitit, Gjuka: Ndjenjë e mirë
Egzon Gjuka është shpallur për herë të tretë rresht hendbollisti më i mirë i vitit në Kosovë. Ai ka thënë se ndihet mirë për këtë sukses të jashtëzakonshëm. “Është hera e tretë rresht që po shpallem lojtari më i mirë në Kosovë dhe normal është një ndjenjë mjaft e mirë kur trajnerët e skuadrave tjera më vlerësojnë për punën dhe performancën që e shfaqi”, ka thënë Gjuka.
Ai e ka vlerësuar vitin 2023 të suksesshëm për faktin se arriti të shpallet kampion me Besën, derisa edhe me Rahovecin është shpallur kampion vjeshtor.
“Viti 2023 ishte i mirë në përgjithësi. Me Besën u shpallëm kampionë të Kosovës dhe në verë kalova te KH Rahoveci, ku arritëm të bëjmë një skuadër konkurruese. Jemi kampion vjeshtor me 14 fitore nga 14 ndeshje”, ka shtuar ai.
Gjuka ka synime të mëdha në vitin 2024 si me skuadrën e Rahovecit ashtu edhe me Përfaqësuesen e Kosovës.
“Jam duke punuar shumë për rikuperim pas lëndimit dhe operimit që e pata. Shpresoj që në fund të muajit mars të jem gati të jap kontributin tim për Rahovecin. Do të jetë një vit interesant besoj. Jemi tri skuadra që po konkurrojmë për titull të kampionit dhe shpresoj që në fund të shfaqim vlerat tona si ekip, duke i sjellë trofetë në Rahovec. Synim tani e kam kthimin nga lëndimi e pastaj të vazhdojmë fuqishëm me Rahovecin e po ashtu me Përfaqësuesen e Kosovës në garat që na presin në fundvit”, ka deklaruar Gjuka.
/Epoka e re/