Për tetë muaj janë kryer rreth 2 milionë analiza, për mbi 338 mijë pacientë
Gjatë vizitës në Klinikën e Biokimisë Mjekësore, ushtruesja e detyrës së drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raçi u njoftua se për tetë muaj, në këtë klinikë janë kryer rreth 2 milionë parametra – analiza, për mbi 338 mijë pacientë.
Drejtori i kësaj klinike, Shemsi Veseli, bashkë me specialsitët e biokimisë, pasi kanë paraqitur kërkesat për zhvillim të mëtejmë të kësaj klinike, ka njoftuar në lidhje me disa shërbime të reja që do të fillojnë të kryhen në këtë klinikë që kanë të bëjnë me shërbimin e imunologjisë, analiza të hemostazës dhe disa parametra të tjera për foshnjat e porsalindura dhe shumë të tjera që më parë nuk janë kryer në këtë klinikë.
Në takim u bisedua lidhur me investimet që do të bëhen në aparaturë mjekësore dhe mirëmbajtjen e saj, e po ashtu furnizimin e rregullt me reagensë.