“Për t’i dalë zot vendit”, Mehaj deklaron se FSK bleu pajisje ushtarake: Lirinë do ta mbrojmë kurdo që të jetë e nevojshme
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në adresimin e tij në ceremoninë hapëse të “Defender Europe ‘23” ka konfirmuar se FSK ka blerë pajisje të reja ushtarake.
Me qëllim mbrojtjen e vendit, Mehaj tha se përpos pajisjeve ushtarake, FSK ka rritur numrin e ushtarëve dhe stërvitjeve, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Gjatë këtyre dy viteve, fokusi ynë kryesor ka qenë në rritjen e numrit të ushtarakëve, trajnime, stërvitje e shkollime, pastaj në ngritjen e kapaciteteve luftarake përmes blerjes së pajisjeve ushtarake dhe sistemeve të reja. E gjithë kjo është bërë për t’i dalë zot vendit tonë. Atdheun e çliruar dhe lirinë e fituar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës ne do ta mbrojmë kurdo që do të jetë e nevojshme”, tha Mehaj.
Mehaj tha se do ta mbrojnë atdheun, dhe se liria i takon popullit.
“E kaluara na ka mësuar që për ta fituar lirinë duhet të derdhësh gjak, ndërsa për ta ruajtur paqen duhet të derdhësh mund dhe djersë”, tha ndër tjerash ministri Armend Mehaj.