Për tre muaj 54 raste të dhunës në familje në Prizren
Në Prokurorinë Themelore në Prizren, është mbajtur takimi i rregullt tremujor i mekanizmit institucional me akterët të cilët merren me trajtimin e rasteve që ndërlidhen me veprat penale të cilësuara si dhunë në familje, brenda kompetencës së kësaj prokurorie.
Në këtë takim thirrur dhe organizuar nga prokurorja dhe koordinatorja për rastet e dhunës në familje, Mehreme Hoxha, ishin të pranishëm përfaqësues nga Policia e Kosovës për rajonin e Prizrenit, përfaqësues nga Gjykata, mbrojtës të viktimave, përfaqësues nga Zyra për Ndihmë Juridike Falas, përfaqësues nga Qendra për Punë Sociale, Strehimorja si dhe zyrtarë nga Shërbimi Sprovues.
Të gjithë pjesëmarrësit në takim vlerësuan lartë bashkëpunimin që ekziston në mes institucioneve kompetente për trajtimin efikas dhe të shpejtë të këtyre rasteve. Sidomos, u vlerësua trajtimi i dinjitetshëm i viktimave të dhunës në familje që bëhet nga ana e këtyre institucioneve.
Po ashtu, u theksua se të gjitha lëndët që kanë të bëjnë me dhunë në familje, janë kryer me prioritet të theksuar.
Koordinatorja për dhunë në familje nga Prokuroria Themelore në Prizren, Mehreme Hoxha, ka theksuar se në Prokurorinë Themelore në Prizren, vetëm gjatë vitit 2018 janë pranuar 218 lëndë të cilësuara si dhunë në familje, ndërsa janë kryer 193 lëndë. Kurse, gjatë tremujorit të parë të vitit 2019 janë pranuar 54 lëndë, ndërsa janë kryer 44 lëndë.
Po ashtu, u theksua si domosdoshmëri nevoja e përmirësimit të hartimit të kallëzimeve penale. U kërkua që kallëzimet penale të jenë më të formalizuara, të theksohen provat, vlerësimi i rrezikshmërisë, numri personal i viktimës, i të pandehurit etj.
Nga të pranishmit u vlerësua se shqetësuese edhe me tutje mbetet rritja e numrit të rasteve të dhunës në familje, e sidomos të rasteve recidiviste. Andaj, u kërkua që rastet e tilla të trajtohen me prioritet dhe me seriozitet të theksuar dhe të vlerësohet shkaku apo problemi, në mënyrë që të shtohen mekanizmat e mbrojtjes ndaj dhunës në familje.
/Epoka e re/