Për tre muaj mbi 68 mijë persona vizituan hotelet e Kosovës
Gjatë tremujorit të dytë të këtij viti hotelet e Kosovës janë vizituar nga 68 mijë e 251 vizitorë, prej tyre 64.67 për qind kanë qenë të huaj.
Kështu është thënë në raportin “Statistikat e hotelerisë, tremujori i dytë 2019”, i cili është prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Sipas kësaj agjencie, numri i netëve të qëndrimeve në këtë tremujor ishte 115 mijë e 501 bujtje.
“Në tremujorin e dytë të 2019-s, numri i vizitorëve (vendorë dhe të huaj) është 68 251 prej tyre 35.33 për qind janë vendorë dhe 64.67 për qind janë të huaj, ndërsa numri i net-qëndrimeve është 115 501 prej tyre 39.7 për qind nga vendorët dhe 67.39 për qind nga të huajt”,është thënë në raportin e ASK-së.
Për sa i përket numrit të vizitorëve, rajoni i Prishtinës është në vendin të parë, pasuar nga ai i Prizrenit.
“Numrin më të madh të vizitorëve dhe net-qëndrimeve të tyre e ka rajoni i Prishtinës me 27 563 vizitorë dhe 47 534 net-qëndrimi. Numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Prizren e kështu me radhë. Sa u përket vizitorëve të huaj, numri më i madh ishte nga Shqipëria, Gjermania, Turqia, etj.”është thënë në raportin e ASK-së.
/Epoka e re/