Për tre muaj u regjistruan 2,593 ndërmarrje, 8.9 % më shumë se në vitin 2019
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar repertorin statistikor mbi ndërmarrjet ekonomike në Kosovë për tremujorin e tretë të këtij viti, ku thuhet se në tremujorin e tretë të vitit 2020 gjithsej janë regjistruar 2, 593 ndërmarrje. Krahasuar me tremujorin paraprak ka rritje për 27.54 për qind të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërsa krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM3 2019) ka rritje për 8.9 për qind të ndërmarrjeve të regjistruara.
Sipas ASK-së, sa u përket aktiviteteve ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: Tregtia me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me 597 ndërmarrje të regjistruara 23.02 për qind, prodhimi me 302 ndërmarrje të regjistruara 11.65 për qind, akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 282 ndërmarrje të regjistruara 10.88 për qind, bujqësia, pylltaria dhe peshkataria me 257 ndërmarrje të regjistruara 9.91 për qind, aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 235 ndërmarrje të regjistruara 9.06 për qind, ndërtimtaria me 231 ndërmarrje të regjistruara 8.91 për qind, etj.
Gjatë këtij tremujori, në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar ishin gjithsej 1, 511 ndërmarrje të regjistruara (96.8 për qind); në kategorinë me 5 deri 9 të punësuar ishin 51 sosh (2.0 për qind); në kategorinë me 10 deri në 19 të punësuar ishin 24 ndërmarrje të regjistruara (0.9 për qind); në kategorinë me 20 deri 249 të punësuar ishin 7 ndërmarrje të regjistruara (0.3 për qind); ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar, nuk ka ndonjë ndërmarrje të regjistruar.
“Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor mbizotëron komuna e Prishtinës me 771 ndërmarrje të regjistruara (29.7 për qind); Prizreni me 197 ndërmarrje të regjistruara (7.6 për qind); Ferizaj me 186 ndërmarrje të regjistruara (7.2 për qind); Peja me 141 ndërmarrje të regjistruara (5.4 për qind); Gjilani me 129 ndërmarrje të regjistruara (5.0 për qind); dhe Gjakova me 114 ndërmarrje të regjistruara (4.4 për qind). Ndërsa, komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor”, thuhet në njoftimin e ASK-së.
(Qendrsa Rama / Epoka e re)