Për tre muaj u sekuestruan dhe konfiskuan asete në vlerë prej 4 milionë euro
Drejtori i sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi, ka bërë me dije se nga muaji prill deri në qershor të këtij viti janë sekuestruar dhe konfiskuar asete në vlerë prej 4 milionë euro.
Ai gjatë prezantimit të raportit tremujor për aktivitetet dhe rekomandimet e koordinatorit kombëtar për luftimin e krimit ekonomik, ka theksuar se për vitin 2018 vlera e sekuestrimit dhe konfiskimit ka arritur në 22 milionë euro.
“Në tre mujorin e dytë të vitit 2019 bëhet fjalë për sekuestrim dhe konfiskim e aseteve të 100 rasteve që kap vlerën prej 4 milionë euro. Për këtë tremujor mbetet sfidë çështja e sekuestrimit”.
“Ngrirjet dhe sekuestrimet kanë ndodhur për vepra të ndryshme penale. Brengosëse mbeten vendimet e papërfunduara të gjykatave që kanë të bëjnë me konfiskimin e thjeshtë”, është shprehur Krasniqi.
Ndërsa, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se kontabandimi i mallrave dhe vjedhja e pyllit nuk është fare kompetencë e KPK-së.
Në anën tjetër, kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, ka thënë se çështja e konfiskimit vazhdon të jetë problem edhe pse sekuestrimi ka dhënë rezultate të mira.
“Konfiskimet janë brengë për ne, por nuk është rezultat që do të mundemi ta ndryshojmë edhe në të ardhmen sepse është çështje e gjykatave”, ka thënë Hyseni.