Për tri vite, synohet të digjitalizohen 7 milionë dokumentacione arkivore
Për një periudhë tre vjeçare, planifikohet që shtatë milionë dokumente arkivore t’i nënshtrohen procesit të digjitalizimit. Kjo në kuadër të një projekti nga ana e Agjencisë Shtetërore të Arkivave.
Faqe për faqe, i shkojnë çdo dokumenti.
Dosjet janë të shumta të cilat do t’i përgatisin për një proces të ruajtjes, në kuadër të Agjencisë Shtetërore të Arkivave.
“Këtu bëhet vetëm rregullimi dhe përgatitja e dokumentacionit, e cila shkon për skanim. Siç dihet, ne jemi të obliguar që brenda ditës t’i përgatisim nëntë mijë dokumente për skanim”, tha shefja e rregullimit dhe përpunimit të dokumentacionit arkivor, Raba Kelmendi.
Këto nëntë mijë dokumentacione arkivore, do të dërgohen në një zyre tjetër, ku ndodhen aparaturat përkatëse ku zhvillohet procesi i skanimit.
“Në si institucion e kemi për obligim që ta rishikojmë kualitetin e skanimeve dhe numrin e skanimeve, poashtu kompania është e obliguar që të na informojë për numrin e skanimeve. Skanimet e formatit A4 i kryen kompania, kurse formatet më të mëdha i kryen vet stafi ynë”, tha ajo.
Për këtë formë të ruajtjes së materialit arkivor, është një projekt tre vjeçar që synon digjilatizimin e shtatë milionë dokumentacione.
Për ta arritur këtë është parë e nevojshme që digjitalizimi të bëhet nga një operator ekonomik.
“Për shkak të mungesës së numrit të stafit, për shkak të numrit të pajisjeve që janë jashtëzakonisht të shtrenjta dhe kanë një kosto të mirëmbajtjes të shtrenjtë. Ne e kemi të nevojshëm që jo vetëm ta bëjmë digjitalizimin, por edhe ta marrim shërbimin e ofrimit të pajisjeve me qera dhe poashtu të mirëmbajtjes së tyre, që mos ta ketë barrën institucioni”, tha drejtori ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave.
Ky proces i ruajtjes së dokumenteve, do të mundësojë krijimin e departamentit të veçantë për arkivat digjitale.
“Të themelojmë departamentit për arkivat digjitale, i cili do të ketë dy divizione; atë të bazës së të dhënave dhe divizionin për shërbimet për qytetarë. Poashtu do të ketë divizionin përkatës për digjitalizim, sepse digjitalizimi është një rrugë e gjatë, një proces që nuk do të ndalet tashmë”, Bislimi.
Projekti i digjitalizimit, ka kushtuar mbi 400 mijë euro.