Për UÇK-në e shtetin e Kosovës çdo pëllëmbë toke është obelisk

19 shkurt 2023 | 19:25

(Fjalë rasti në ditën e pavarësisë dhe përurimin e Obeliskut të UÇK-së në Hanin e Elezit, më 17 shkurt 2023).

Kudusi Lama

Të nderuar të pranishëm!

Ka shumë lloje veprimtarish, por veprimtaritë e krenarisë janë më të këndshmet, më të mirëseardhurat dhe më domethënëset në jetën tonë.

Sot në këtë trevë të Kosovës ne vijmë për të bërë dy urime. Së pari për të uruar moshën djaloshare të shtetit të Kosovës, 15 vjetorin e pavarësisë dhe, së dyti për të përuruar obeliskun shumë domethënë të ngritur me shumë dashuri, duke përjetësuar tri germat e para të emrit më të madh të historisë moderne të shqiptarëve, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sot në këtë ditë të veçantë të festosh dhe të mbjellësh trandafilat për të përjetësuar historinë është gjetja e vetvetes në rrjedhën e të ardhmes së Kosovës e të gjithë kombit shqiptar.

Sot të gjithë ndihemi krenarë, të gjithë ndihemi të lumtur, të gjithë ndihemi të plotësuar, për atë që kemi bërë dhe për atë që kemi arritur.

Jemi të lumtur se jemi të lirë në tokën tonë dhe nën rrezet e diellit tonë, me të gjitha liritë dhe barazitë e jetës normale njerëzore.

Por kjo jetë në liri nuk erdhi vetë, nuk erdhi me lutje, nuk erdhi si dhuratë, kjo erdhi nëpërmjet grykës së pushkës, sepse duhet ditur e mbajtur mend përjetësisht, se liria vjen vetëm nëpërmjet grykës së pushkës dhe mbrohet vetëm me grykën e pushkës. Këtë duhet ta kemi të qartë të gjithë e të jemi kontribuues për më të mirën në shoqërinë moderne.

Gjithashtu, të kemi të qartë, se lufta nuk është bërë vetëm për të qenë të lirë, të pa rrezikuar e të lumtur disa, por për të gjithë. Prandaj të jemi falënderues dhe njëkohësisht të kujdesshëm, për të mos hedhur gurë mbi rrugën që e trasoj Lufta Çlirimtare e Kosovës, për të na sjellë te ky shtet modern, që sot është bërë një djalosh i bukur dhe krenar për rrugën nga ka ardhur e për rrugën nga do të shkojë. Për t’u bërë përfundimisht bashkudhëtar me shtetet e tjera të zhvilluara drejt të ardhmes së lumtur e të ndritur të shqiptarëve si një komb i bashkuar dhe i fuqishëm e krenar.

Lufta Çlirimtare e Kosovës, ishte veprimtaria e organizuar e kombit, që filloj në hapësirat e Kosovës, por që u shtri në gjithë botën. E përveç kësaj mençuria e luftëtarëve dhe udhëheqësve të kësaj lufte bëri që në Kosovë, Ushtrisë Çlirimtare t’i bashkëngjitet si bashkëluftëtare edhe forca më e madhe politiko – ushtarake e botës, NATO-ja.

Ashtu sikurse u fitua nderimi i të gjithë popujve të botës, sepse lufta jonë u bë modeli se si në mënyrën më të qartë e të drejtë, mund të organizohet një ushtri çlirimtare e të zhvillohet lufta prej saj, për të shpëtuar kombin e vet.

Pikërisht me një veprimtari të tillë të pranueshme politikisht dhe ushtarakisht nga e gjithë bota moderne, udhëheqësit tanë të luftës bënë që të fitohet simpatia, nderimi dhe mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Bashkimit Europian e më gjerë.

Por me keqardhje sot, në këtë përvjetor të 15 të krijimit të shtetit të Kosovës dhe të këtij aktiviteti simbolik të ngritjet së obeliskut UÇK, në Kosovë nuk i kemi disa prej udhëheqësve tanë të asaj periudhe të lavdishme të kombit shqiptar, siç ishte Lufta Çlirimtare e Kosovës. Sot presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentarët Jakup Krasniqi e Kadri Veseli, si dhe deputeti Rexhep Selimi, janë të marrë peng për interesat e Serbisë në gjykatën speciale e quajtur e Kosovës në Hagë.

Ky është një ngërç, ky është një veprim jologjik, kjo është një praktikë kundërshqiptare, por ja që na është bërë fakt.

E ky fakt tregon, se lufta nuk ka përfunduar. Se armiku megjithëse i mundur, nuk e ka pranuar dorëzimin.

E ky tregues është sinjal, se ne nuk e kemi kryer akoma detyrën. Prandaj kërkohet të jemi të gjithë në këmbë, për të treguar botërisht se nuk ka e nuk mund të ketë kthim prapa në historinë shqiptare dhe se Kosova, megjithëse shtet i dytë shqiptar tashmë ecën në rrugën e zhvillimit e përparimit dhe pse jo, nesër edhe në rrugën e bashkimit kombëtar.

E në këtë rrugë të fundit nuk do të shkojë vetëm, por me gjithë Kosovën Lindore, me Maqedoninë e Veriut e më gjerë, për ta njësuar përfundimisht kombin e për t’u dhënë shqiptarëve dinjitetin që u takon më hapësirën e trojeve të tyre të ligjshme që ua ka dhënë Zoti.

Sot në rrugën e zhvillimit kemi ndërtuar jetën dhe demokracinë, duke bashkëpunuar ngushtë me SHBA dhe BE, si dhe me NATO-n, partnerë të cilët monitorojnë nga afër jetën tonë, të arriturat tona dhe na këshillojnë për të ecur më të sigurt në të ardhmen për lumturinë e të gjithëve.

Por gjithashtu duhet të jemi falënderues gjakut të dëshmorëve të luftës, si dhe të jemi falënderues e nderues edhe për luftëtarët, të cilët me armë në dorë u bënë flamurtarët e rrugës së lirisë, pa pretenduar për asgjë dhe pa kërkuar asgjë. E ky falënderim e nderim ju siguroj se na bën krenar e na sjellë forcë, unitetet, qetësi dhe kënaqësi të gjithëve.

Ne deklarojmë se nuk duam të kemi armiq. Por në asnjë mënyrë nuk mund të jemi pa armiq e të sigurt në rrugën tonë, në qoftë se nuk i mbajmë armët të pastruara e në gatishmëri, për t’i përdorur në çdo çast rreziku për atdheun.

Ne e duam paqen, por paqe nuk mund të ketë pa armë të pastruara e pa komb e shtet të organizuar ushtarakisht.

Ne nuk e duam luftën, por lufta nuk parandalohet nëse nuk i kemi armët në gatishmëri dhe ushtrinë të përgatitur për luftë.

Këto duhet t’i kemi të qarta të gjithë.

Ashtu sikurse ne jemi dhe duhet të jemi për zhvillimin, për ndryshimin, prandaj edhe simbolet dhe ditët e shenjta të shtetit e të kombit janë me vlera për ta rritur fuqinë e personalitetit të çdo qytetari e çdo shqiptari për një të ardhme më të mirë e më të sigurt.

Sepse qoftë në fushën e betejës, në frontin e punës, në dinamikën e ndërtimit të simboleve të vlerave dhe në procesin e integrimit kërkohet integritet, guxim, unitetet, besnikëri ndaj atdheut e kombit, përkushtim dhe mishërim i vlerave të historisë kombëtare çdo ditë e çdo vit.

Prandaj edhe duhet të jemi krenar që kjo është dita e Kosovës, dita e lirisë, e autoritetit dhe historisë së shpresës për një të ardhme të sigurt e të lumtur për të gjithë qytetarët e këtij shteti.

Ashtu sikurse sot ne festojmë për njerëzit që kanë zgjedhur të duan atdheun për të jetuar të lumtur pranë tij duke punuar me shumë përkushtim për ta ndërtuar e zhvilluar atë.

Por e gjithë kjo mund të bëhet duke luftuar me shpirt dhe fuqinë intelektuale e kombëtare ekstremizmin politik, që qëllim në vetvete ka mendimin dhe praktikën e idesë se historia fillon me mua. Këtë e konsideroj dukurinë më të dëmshme në kushtet e një shteti dhe të ndërtimit të një të ardhmjeje politike në kushtet e integrimit, për të arritur të jemi bashkudhëtar të vendeve të zhvilluara.

Sepse vetëm nëse luftojmë pa kompromis këtë dukuri, do të bëjmë që me besim dhe arsye të qëndrueshme të çojmë përpara historinë e vendit tonë, të shtetit tonë, të kombit tonë. Ama kjo bëhet vetëm me unitet të plotë në të gjitha fushat, sepse pa unitet zhvillohet kaosi nuk sigurohet zhvillimi. Prandaj kërkohet të respektojmë mendimin dhe punën e njëri tjetrit, duke hequr dorë nga interesat grupore e klanore të qeverisjes.

Dhe përfundimisht të mbajmë në vëmendje në çdo çast se shqiptarët janë një komb edhe nëse do të bëhen gjashtë shtete në Ballkan, siç janë të copëtuar edhe sot.

E në këto kushte kërkohet të punojmë si për shtetin ashtu edhe për kombin, duke forcuar veten dhe duke menduar e kontribuar edhe për shqiptarët që janë jashtë hapësirave të Shqipërisë e Kosovës deri ditën kur do të jemi të gjithë rreth sofrës së bashkuar kombëtare. Uroj të jetë sa më e afërt ajo ditë.

Faleminderit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Prizren, ku…