Për vizitën zyrtare në Amerikë, zëvendësministrja Liza Gashi shpenzoi 9 mijë euro
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, gjatë vizitës gati 3 javore në muajin maj në SHBA ka shpenzuar 9 mijë euro për bileta udhëtimi, akomodim, dreka e darka zyrtare dhe mëditje. Këto të dhëna për shpenzimet financiare, Kanal10 i ka siguruar pas kërkesës për qasje në dokumente publike, për të cilën MPJD-ja nuk i ka respektuar afatet ligjore. Në vend të kësaj, kanë bërë një reagim të paparë në praktikat institucionale.
Për vizitën në maj në Amerikë të kryeministrit Albin Kurti dhe një delegacioni nga Kosova, së cilës ende nuk i shihen frytet, vazhdojnë të shfaqen shifrat e shpenzimit të buxhetit të shtetit.
Për vizitën gati 3 javore në ShBA, vetëm zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, ka shpenzuar në total 9 mijë euro.
Për të, për bileta të udhëtimit janë paguar 1 mijë e 83 euro.
Kurse, për siç e kanë cilësuar akomodim zyrtarë jashtë vendit – kredit kartelë, zëvendësministrja Gashi ka shpenzuar nga buxheti i shtetit, 4 mijë e 264 euro.
Zëvendësministrja Gashi, 2 mijë e 194 euro i mori për mëditje, derisa dreka e darka të udhëtimit në SHBA shpenzoi mbi 1 mijë euro.
Në total, shpenzimet e zëvendësministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, i kushtuan buxhetit të shtetit, saktësisht 8 mijë e 970 euro.
Këto të dhëna Kanal10 i ka siguruar pas kërkesës më 12 korrik të këtij viti për qasje në dokumente publike, por që MPJD-ja i ka shkelur afatet ligjore për të kthyer përgjigje.
“3 muaj i janë dashur Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për t’i lejuar qasje televizionit në dokumentet publike, përkitazi me kërkesën për shpenzimet e zëvendësministres Liza Gashi gjatë vizitës në SHBA. Në fakt, heshtja e tyre disa mujore është thyer pas ankesës që kemi bërë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi”
Ky institucion ka paralajmëruar se do ta gjobiste me mjete financiare MPJD-në, nëse vazhdon të shkel më tutje afatet ligjore.
Për shkak të vonesës në kthimin e përgjigjesh, televizioni ka tentuar të marr një qëndrim nga zëvendësministrja Gashi, por ajo nuk ka pranuar të flasë, me zotimin se këtë do ta bëjë një ditë tjetër.