Për vrasjen e Lulzimit drejtësia duhet të veprojë dhe dorasët të marrin dënimet e meritore
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka konsideruar tronditës rastin e vrasjes së të riut Lulzim Fejzullahu në Podujevë.
“Vrasja e të riut Lulzim Fejzullahu nga dy bashkëmoshatarë të tij është ngjarje që ka tronditur të gjithë qytetarët e Kosovës. Është tmerrues fakti kur dëgjon për humbjen e jetës së një të riu, aq më shumë kur jeta e tij merret dhunshëm, në mënyrë totalisht të pamëshirshme”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.
Ajo ka theksuar se ijo ngjarje tronditëse prekë në ndërgjegjet tona qytetare dhe tërheqë alarm institucional, për edukim të mirëfillt të fëmijëve.
“Sikur ky lajm të mos mjaftonte, disa media publikuan edhe pamjet brutale të këtij akti, pamje të cilat nuk mund të jenë të dobishme për askë veçse për Pokurorinë. Nga njëra anë mungesë e theksueshme e emisioneve edukative, emancipuese, dhe në anën tjetër me nxitim shpërndarje të pamjeve të dhunës e vrasjeve. Kjo nuk është në rregull dhe si e tillë nuk mund të pranohet. Për vrasjen e Lulzimit drejtësia duhet të veprojë dhe dorasët duhet të marrin dënimet e meritore. I ndjeri Lulzimi, u prehtë në paqe! Ngushëllime familjarëve dhe shoqërisë së tij!”, ka shkruar Haxhiu.
Autoritetet e drejtësisë kanë thënë se Fejzullahu, 18 vjeç, ka vdekur më 20 janar si pasojë e një përleshjeje fizike më 15 janar, dhe për pasojë dy të mitur e kanë goditur me shkop në kokë viktimën.
Viktima është trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku më pas ka vdekur.
Policia i ka ndaluar dy të dyshuarit, ndërsa Prokuroria Themelore të Prishtinë ka nisur rast ndaj tyre, nën dyshimet për kryerje të veprës penale “Vrasje në tentativë”.