Përballja e Asamblesë Parlamentare e Këshillit të Evropës me Rusinë

21 mars 2019 | 12:17

Xhavit HALITI

Po bëhen pesë vjet që marrëdhëniet në mes të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Rusisë janë të tensionuara. Shkaku i lindjes së këtij tensionimi ishte aneksimi i Krimesë nga Rusia, që u konsiderua dhe vazhdon të cilësohet nga Këshilli i Evropës si “ilegal dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”. Për këtë arsye APKiE i ndërpreu disa të drejta delegacionit rus, përfshirë të drejtën e votës por, megjithatë, ky delegacion nuk u përjashtua nga Asambleja.

Në reagimin ndaj këtyre sanksioneve, Rusia vendosi dhe nuk i dërgoi kredencialet e deputetëve të delegacionit të vet në APKiE për ratifikim në vitet 2016-2018. Ky raport i brishtë disavjeçar është bërë më shqetësues pas sesionit të katërt të rregullt të APKiE në tetor të vitit të kaluar, ku u paraqit një draftrezolutë për ndryshimin e rregullave të brendshme lidhur me kredencialet e delegacioneve të shteteve anëtare si dhe procedurën e votimit.

Diskutimi në seancë për ndryshimet e parashtruara në draftrezolutë nxori në pah dy grupime të kundërta.

Një grupim politik i quajti ndryshimet e propozuara si tendencioze për të rikthyer delegacionin e Rusisë në APKiE, ndërsa grupimi tjetër, kundërshtar i zëshëm i Draftrezolutës, e quajti këtë si”derivat të shantazhit rus”. Diskutantë të tjerë pohuan se nuk janë kundër rikthimit të Rusisë në APKiE, por kundërshtojnë ndryshimin e rregullave në shërbim të akomodimit të shteteve të caktuara, që nuk përfillin parimet e përgjithshme të KiE-së.

Asambleja vendosi t’i rikthehet për rishikim Komitetit për Rregulla, për të ridiskutuar Draft-rezolutën në një nga seancat e ardhshme, por ky vendim u përball shumë shpejt me veprimin dhe aktin ligjor të Rusisë, e cila në janar të këtij viti nuk i dërgoi kredencialet e delegacionit parlamentar në Strasburg, në përputhje me rregullat e APKiE-së, sepse Duma Ruse vendosi që edhe për këtë vit delegacioni rus të mos merrte pjesë në punimet e APKiE.

E bëra gjithë këtë parashtrim, jo vetëm për të treguar gjendjen reale të një raporti mes APKiE-së dhe Rusisë, por për të dhënë edhe ndonjë mendim për pozicionin e shtetit tonë, që prej vitesh ka kërkuar anëtarësimin në AP, në këto momente të tensionuara mes palëve “në konflikt”. Mosprania apo prania e delegacionit rus në Asamble, ka ndikim në realizimin e synimeve të Kosovës karshi Këshillit të Evropës. Delegacioni rus prej 18 anëtarësh brenda Asamblesë do të bënte gjithçka për të ndaluar çdo iniciativë të Kosovës për të avancuar statusin e saj pranë APKiE-së.

Në këto kushte vendi ynë ndodhet në një mëdyshje për të vendosur se cilido të jetë pozicioni ynë zyrtar ndaj Draft-rezolutës së Asamblesë Parlamentare, kur dihet “pesha” e Rusisë në Evropë dhe në Botë. Dihet gjithashtu konfliktualiteti i saj me mbarë Perëndimin për aneksimin e Krimesë dhe raportet me Ukrainën, siç dihet po ashtu, njësimi nga politika dhe diplomacia ruse, i Pavarësisë së Kosovës nga Serbia me shkëputjen e Krimesë nga Ukraina dhe bashkimi i saj me Rusinë.

Rusia dhe Kina janë dy barrierat penguese të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në OKB, sepse kanë të drejtën e vetos. Rusia, që na konsideron të barasvlefshëm me Krimenë, mendoj se ka ndikuar për mosavancimin e statusit të delegacionit të Kosovës pranë APKiE-së.

Mendoj se një Rusi brenda apo jashtë Asamblesë Parlamentare, ka dhe do të ketë dhe në të ardhmen një impakt negativ për avancimin e statusit të Republikës së Kosovës. Pavarësisht disa mendimeve apo shqetësimeve të ndryshme, që, Kosova të jetë e kujdesshme e të mos procedojë në kushtet e një polarizimi me Rusinë, unë mendoj se nuk duhet hezituar por duhet aplikuar për anëtarësimin tonë në APKiE.

Kam bindjen se projektdrafti për ndryshimin e rregullave të brendshme të AP-së lidhur me kredencialet e delegacioneve të shteteve anëtare si dhe procedurën e votimit, ndihmojnë që APKiE të jetë më e fuqishme për të bërë më efektive vlerat themelore të demokracisë, të sundimit të ligjit dhe të të drejtave të njeriut.

 (Autori është nënkryetar i Kuvendit dhe kryesues i Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka…