Përballja e befasive

24 prill 2018 | 12:21

Sonte (e martë) zhvillohet ndeshja e parë gjysmëfinale në Ligën e Kampionëve në mes të Liverpoolit dhe Romës.

Kjo ndeshje cilësohet edhe si përballja e befasive për faktin se këto dy skuadra shkaktuan befasi të mëdha në këtë edicion duke u kualifikuar deri në këtë raund, ani pse në fillim nuk ishin në mesin e favoriteve që mund të triumfojnë në këtë garë. Dy skuadrat e fuqishme, Barcelona dhe Manchester City, janë eliminuar nga këto dy skuadra.

Trajneri i Romës, Eusebio Di Francesco, e ka vlerësuar Liverpoolin para përballjes në “Anfiedl Road”. “Në këtë sezon jemi rritur shumë, por teksa Liverpooli e ka siguruar praninë në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm, duke qenë në vendin e tretë të Premierë Ligës, ne që jemi të tretët në Serinë A ende nuk ia kemi dalë, por kemi shumë besim”, ka thënë Di Francesco, i cili më pas foli edhe për ish-lojtarin e Romës, Mohamed Salah. “Djemtë më kanë thënë se është një njeri i madh, një profesionist i vërtetë që punon shumë. Faktikisht, kjo duket qartë. Gjithsesi, favori ynë është që e njohim mirë si luan Salah, ndërsa në Angli kanë filluar ta njohin vetëm pasi shënoi 30 gola”, ka shtuar ai.

Fjalë të mira për skuadrën e Romës ka folur trajneri i skuadrës së Liverpoolit, Jurgen Klopp.  “Nuk është short i lehtë. Njësoj do të ishte edhe me Bayernin dhe Realin. Të gjitha ekipet në këtë fazë janë të forta. Dua t’jua kujtoj ndeshjen që Roma zhvilloi me Barcelonën. Në ndeshjen e dytë ishte e jashtëzakonshme çfarë bënë ata dhe është dashur të fitojnë 4-0 ose 5-0. Nuk kam qenë kurrë në Romë, por di që ata kanë një skuadër shumë cilësore. Ne do të tentojmë të marrim rezultate pozitive në të dyja ndeshjet”, ka deklaruar Kloppi.

Redaksia online
(e.r. / epokaere.com)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtarja e redaksisë e revistës për kulturë, gjuhë dhe media,…