Përballja e rivalëve në basketbollin e Kosovës
Java e 13-të në elitën e basketboll do ta sjellë përballjen e rivalëve në basketbollin e Kosovës apo skuadrave me traditë dhe trofe në basketbollin e Kosovës.
Takimi i parë i së shtunës është ndërmjet Trepçës dhe Bashkimit, që pritet të jetë shumë interesant. Mitrovicasit janë në vendin e parë me dhjetë fitore e dy humbje, kurse prizrenasit kanë katër fitore e tetë humbje, por së fundi kanë bërë ndryshime në shtabin teknik, duke emëruar ish-trajnerin e “Xehetarëve”, Aleksandar Joncevski. Mitrovicasit kishin fituar duelin përballë prizrenasve në Prizren 77:99. Sfida e dytë e së shtunës pritet të jetë edhe më e “zjarrtë” në mes të Pejës dhe Sigal Prishtinës. Përballja e rivalëve gjithmonë ka qenë interesante e kështu pritet edhe kësaj radhe. Verdhezinjtë kanë nëntë fitore e tri humbje, kurse prishtinasit shtatë fitore dhe pesë humbje.
Duelin e parë të këtij edicioni e kishin fituar kampionët e Kosovës, 80:95. Synimi i vetëm i dy skuadrave është fitorja në këtë sfidë.
Ndeshje, po ashtu interesante, pritet ndërmjet Proton Cable Prizrenit dhe Golden Eagle Yllit që zhvillohet të dielën. Prizrenasit kanë katër fitore dhe tetë humbje, ndërsa therandasit shtatë fitore e pesë humbje, duke e bërë sfidën shumë të barabartë dhe të dy skuadrat luajnë për fitore për të pasur plasman sa më të mirë në renditje. Përballja e fundit zhvillohet ndërmjet Vëllaznimit dhe Istogut. Kuqezinjtë kanë gjashtë fitore e gjashtë humbje, ndërsa istogasit kanë një fitore dhe 11 humbje, duke u renditur në vendin e fundit, ndërsa skuadra nga Gjakova renditet në vendin e pestë.
SUPERLIGA – Java 13
Të shtunën takohen:
17:00 Trepça – Bashkimi
19:00 Peja – Sigal Prishtina
Të dielën takohen:
17:00 Proton Cable Prizreni – Golden Eagle Ylli
19:00 Vëllaznimi – Istogu