Përballje shqiptarësh në ‘Elbasan Arena’
U21-shat e Shqipërisë dhe të Kosovës përballen sonte, me fillim nga ora 19:00, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, në stadiumin ‘Elbasan Arena’. Pavarësisht se është një ndeshje vëllazërore, meqë të gjithë futbollistët në fushë do të jenë shqiptarë, në asnjërin kamp nuk mendojnë gjë tjetër përveç fitores. Sherif Kallaku nga kombëtarja e Shqipërisë dhe Eris Abedini e Mirlind Daku nga përfaqësuesja e Kosovës kërkojnë pikët maksimale në ndeshjen emocionuese për të gjithë shqiptarët.
Kombëtarja e Shqipërisë U21 dhe Përfaqësuesja e Kosovës përballen sonte (e martë) në “Elbasan Arena” në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian. Futbollisti i Kosovës, Eris Abedini, ka thënë se kjo ndeshje është krejt ndryshe si për Kosovën, po ashtu edhe për Shqipërinë, pasi në fushë të gjithë do të jenë vëllezër të një kombi. Ai ka shprehur optimizëm se “Dardanët” do të dalin fitues në këtë ndeshje dhe do ta vazhdojnë rrugëtimin drejt kualifikimit në Evropian.
“Është një ndeshje ndryshe nga të tjerat, ngaqë në fushë të gjithë do të jemi vëllezër të një kombi. Mirëpo kjo nuk na intereson, pasi e kemi një objektiv para vetes për ta fituar ndeshjen dhe për ta vazhduar ëndrrën e kualifikimit në evropian. Sigurisht se do të jetë ndeshje e vështirë dhe Shqipëria do ta japë maksimumin, por ne synojmë ta bëjmë lojën tonë dhe shpresoj që gjithçka të shkojë siç duhet. Mendoj se pika jonë e fortë është fakti që luajmë me zemër, kemi cilësi dhe e lëmë shpirtin në fushë për 90 minuta”, ka thënë Abedini.
Edhe futbollisti i skuadrës së Kukësit, Mirlind Daku, e konfirmon se Kosova synon fitoren në ndeshjen ndaj Shqipërisë. Sulmuesi e pranon se ndeshja do të jetë shumë emocionuese për faktin se të dyja skuadrat janë shqiptare. “Duke pasur parasysh se jemi dy kombëtare shqiptare, normalisht se do të jetë ndeshje emocionale për të dyja palët. Sigurisht se do të jetë ndeshje shumë e fortë, por besoj se do të ketë korrektësi maksimale. Ne duhet të hyjmë si në çdo ndeshje tjetër, me motiv të plotë për të fituar. Prioritet për ne është arkëtimi i tri pikëve të reja në mënyrë që ta ndjekim ëndrrën e kualifikimit. Ka lojtarë që i njoh te Shqipëria, por i besoj shumë këtij grupi të futbollistëve dhe jam i bindur se do të arrijmë fitore”, ka thënë Daku.
Për ndeshjen që zhvillohet sonte nga ora 19:00 foli edhe kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Sherif Kallaku. Ky i fundit ka thënë se nuk e sheh ndeshjen si vëllazërore, pasi një gjë e tillë nuk vlen brenda 90 minuta, por vetëm pas përfundimit të ndeshjes. “Ata kanë më shumë pikë se ne, por duhet ta shikojmë thjesht si një ndeshje të radhës, ku duhet t’i marrim tri pikët. Për ne është detyrim. Lideri i skuadrës? Të gjithë, të 11 lojtarët, jemi liderë. Kosova, një derbi apo ndeshje vëllazërore? Nuk do të futemi si në një ndeshje vëllazërore, por për ta fituar. Është një derbi ku gjëra të tipit ‘jemi vëllezër’ nuk vlejnë brenda 90 minutave. Pas ndeshjes jemi vëllezër dhe rrimë së bashku”, ka deklaruar Kallaku.
Grupi 3
19:00 Shqipëria U21- Kosova U21
20:45 Anglia U21 – Austria U21
Tabela
1. Austria U21 3 9 pikë
2. Anglia U21 2 6
3. Kosova U21 3 6
4. Turqia U21 5 4
5. Shqipëria U21 4 2
6. Andorra U21 3 1
/Veton ZYMBERI/