Përbërja e re e Qeverisë serbe: Daçiq ministër i Brendshëm, Vulin zv/kryeministër…

30 prill 2024 | 11:16

Mandatari për formimin e Qeverisë së Serbisë, Millosh Vuçeviq, propozoi të hënën emrat e ministrave të rinj në kabinet.

Siç paralajmëroi, Qeveria e tij do të përbëhet nga 25 ministri dhe pesë ministra pa portofol, shkruan Rel.

Në pozitën e zëvendëskryeministrit do të rikthehet Aleksandar Vulin, ish-udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, i cili është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga korriku i vitit 2023 – mes tjerash për shkak të lidhjeve me Rusinë.

Shefi aktual i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, do ta udhëheqë Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërsa ministër i Mbrojtjes do të jetë Bratisllav Gashiq, deri më tash ministër i Policisë.

Marko Gjuriq, ish-ambasador i Serbisë në SHBA dhe ish-drejtor i Zyrës për Kosovën në Serbi, do t’i bashkohet Qeverisë si ministër i Punëve të Jashtme.

Një zyrtar tjetër nga “lista e zezë” e SHBA-së, për shkak të lidhjeve me Rusinë, Nenad Popoviq, do të jetë po ashtu pjesë e Qeverisë si ministër pa portofol.

Millica Gjurgjeviq Stamenkovski, kryetare e partisë së djathtë, Zavetnici, do ta drejtojë Ministrinë për Përkujdesje Familjare.

Kjo parti, deri më tani, ka vepruar në opozitë, por, pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, ka nisur bashkëpunim me Partinë Përparimtare Serbe, që ka pushtetin.

Si partnere e saj në koalicion, do të marrë pjesë edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale në Serbi, që do të mbahen më 2 qershor.

Ministrat e rinj të Qeverisë serbe përfshijnë edhe ish-sekretarin shtetëror të Ministrisë së Mbrojtjes, Nemanja Staroviq, si ministër i Punës, Darko Gllishiqin si ministër për Investime Publike dhe Dejan Ristiqin si ministër për Informim.

Në krye të Ministrisë së Shëndetësisë do të rikthehet Zllatibor Llonçar, i cili nuk e ka mbajtur këtë post në përbërjen e kaluar, ndërsa Ministrinë e Kulturës do ta marrë Nikolla Selakoviq.

Ministri i deritashëm i Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Aleksandar Martinoviq, do ta drejtojë Ministrinë e Bujqësisë.

Ministre e re e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale do të jetë Jellena Zhariq Kovaçeviq, ndërsa Adrijana Mesaroviq do të jetë ministre e Ekonomisë.

Kush i mbajti ministritë?

Sinisha Malli mbetet në krye të Ministrisë së Financave, ashtu si edhe Irena Vujoviq në postin e ministres së Ekologjisë dhe Dubravka Gjedoviq Handanoviq si ministre e Minierave dhe Energjetikës.

Ministre e Drejtësisë mbetet Maja Popoviq dhe ministër i Ndërtimit mbetet Goran Vesiq. Tomisllav Momiroviq, po ashtu, ruan portofolin e Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme.

Ministre për Integrime Evropiane mbetet Tanja Mishqeviq, ndërsa Sllavica Gjukiq Dejanoviq do të jetë sërish ministre e Arsimit.

Jellena Begoviq do të jetë ministre e Shkencës edhe në këtë përbërje, ndërsa Millan Kërkobabiq do të vazhdojë ta udhëheqë Ministrinë për Përkujdesje ndaj Fshatrave.

Udhëheqës i Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve edhe në këtë mandat do të jetë Tomisllav Zhigmanov, ndërsa ministër i Sportit sërish Zoran Gajiq.

Husein Memiq, ndërkaq, mbetet në krye të Ministrisë së Turizmit dhe Rinisë.

Përveç Nenad Popoviqit, Qeveria e re serbe do t’i ketë edhe katër ministra të tjerë pa portofol. Ata janë: Novica Tonçev, Gjorgje Milliqeviq, Usame Zukorlliq dhe Tatjana Macura.

Tonçev dhe Milliqeviq, zyrtarë të Partisë Socialiste të Serbisë, ishin ministra pa portofol edhe në përbërjen e fundit të Qeverisë.

Ish-ministrja e Kulturës, Maja Gojkoviq, u propozua për kryetare të Qeverisë Krahinore të Vojvodinës. / Rel

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbreti britanik Charles ka planifikuar vizitën e tij të parë…