Përcaktohen finalet ‘play-off’ në të dyja Konferencat
Janë mbyllur ndeshjet gjysmëfinale “play-off” në të dyja Konferencat, duke përcaktuar edhe ekipet finaliste. Surpriza më e madhe është eliminimi i ekipit kampion në fuqi të Denver Nuggets, që u mund me shifrat 98-90 nga Minnesota në gjysmëfinalen e shtatë.
Denveri edhe pse luante në fushën e tij, nuk arriti të fitojë. Murray me 35 pikë e Jokiq me 34 pikë e 19 rebound mbetën të vetëm në lojën e ekipit vendës. Për miqtë, 6 lojtarë realizuan mbi 10 pikë (McDaniels e Towns nga 23 pikë secili). Minnesota fitoi 4-3 me ndeshje dhe në finale do të luajë me Dallasin, që befasoi duke mundur me rezultat 117-116 Oklahomën, e renditur në vendin e parë në perëndim në sezonin e rregullt. Teksanët fituan 4-2 me ndeshje.
Vendimtar Luka Donqiq, autor i një “triple double”, me 29 pikë, 10 rebound e 10 asistime, mbështetur edhe nga Jones Jr. e Irving me nga 22 pikë secili. Për Oklahoma, Shai realizoi 36 pikë, por që mbetën për statistikë. Në Konferencën e Lindjes, Indiana është skuadra e dytë finaliste, që mundi 4-3 me ndeshje New York. Skuadra e Indianas fitoi me shifrat 130-109 gjysmëfinalen e shtatë “play-off”, sfidë ku u dallua Haliburton me 26 pikë.
Konferenca e Lindjes – Gjysmëfinale “play-off”
New York – Indiana 109-130 (3-4)
Boston – Cleveland (4-1)
Finale – “Play-off”
Boston – Indiana
Konferenca e Perëndimit – Gjysmëfinale “play-off”
Denver – Minnesota 90-98 (3-4)
Oklahoma – Dallas 116-117 (2-4)
Finale – “Play-off”
Minnesota – Dallas