Përçarje në LDK-në e Malishevës, shkarkohen tre asamblistë, u bënë pjesë e Nismës
Kuvendi i Komunës së Malishevës, sot e ka mbajtur mbledhjen e parë të jashtëzakonshme, me rend dite, zgjedhja e kryesuesit, ku me shumicë të votave, kryesues i Kuvendit të Komunës së Malishevës, është zgjedhur Argjend Thaçi.
Mirëpo, Dega e LDK-së në Malishevë ka kundërshtuar vendimin e asamblistit Argjend Thaçi që të vetëpropozohet kandidat për kryesues.
Në një komunikatë për media kjo degë ka bërë të ditur se kanë shkarkuar nga grupi i asamblistëve Argjend Thaçin dhe Driton Kastratin e Hamit Limajn, këta dy të fundit mbështetën zgjedhjen e Argjend Thaçit për Kryesues.
Njoftimi i plotë:
Dega e LDK-së në Malishevë në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot më datë 28.12.2021, pas situatës së krijuar në Kuvendin Komunal ku asamblisti Argjend Thaçi u vetëpropozua kandidat për kryesues, përkundër vendimit të degës së LDK-së që në asnjë variant të mos hyhet në kombinim me Nisma Socialdemokrate për zgjedhjen e kryesuesit, i vetëpropozuari asamblesiti Argjend Thaçi me destruktivitetin e tij edhe gjatë fushatës zgjedhore kishte veprime në kundërshtim me vendimet e degës së LDK-së në Malishevë, i cili në bashkëveprim me disa individ tjerë e dëmtuan degën e LDK-së dhe kandidatin tonë për Kryetar Komune z.Bajrush Hoti.
Kryesia e degës së LDK-së në mbledhjen e sotme vendosi me shumicë votash, dhe një votë kundër, largimin e Argjend Thaçit, Driton Kastratit dhe Hamit Limajn nga grupi i asamblistëve të LDK-së dhe shkarkimin e tyre nga të gjitha pozitat e tyre në strukturat e LDK-së, për shkak se asamblistët Driton Kastrati dhe Hamit Lima mbështetën zgjedhjen e Argjend Thaçit për Kryesues në bashkëpunim me Nismën Socialdemokrate, e kundërshtim me vendimin e degës së LDK-së.
Dega e LDK-së u bënë me dije sekserëve të politikës së Fatmir Limaj, Januz Kastratit, Fatmir Ademaj e disa të tjerëve se politikat e Nismës socialdemokrate nuk kanë vend në degën e LDK-së në Malishevë. Gjithashtu dega e LDK-së në Malishevë vazhdon fuqishëm aktivitetin politik në asamblenë komunale me asamblistët e LDK-së e që me veprimet e tyre si opozitarë do të jenë në interes të qytetarëve të Malishevës.
Dega e LDK-së falënderon asamblistët të cilët i qëndruan besnik vendimeve të degë së LDK-së në Malishevë.