Përdhunoi 14-vjeçaren, roja i shkollës në Kamëz dënohet me 12 vjet burgim
Gjykata e Apelit të Tiranës ka dënuar përfundimisht me 12 vjet burgim Abaz Dokun, ish-rojën e një shkolle në Kamëz, për përdhunimin e 14-vjeçares.
Të përfshirë në këtë krim kanë qenë edhe persona të tjerë. Klajdi Poçi është dënuar me 7 vjet burgim për të njëjtën akuzë. Ndërsa të pandehurit e tjerë, R.O. me 3.8 vjet burgim dhe F.B. me 3.4 vjet burgim.
Avokati i rojës kishte kërkuar një masë më të lehtë dënimi të dhënë nga shkalla e parë në 13 janar 2021, por Apeli vendosi mos ta ndryshonte duke e lënë në fuqi.
As masa e dënimit për të tjerët nuk u ndryshua. Por Gjykata e Apelit Tiranë vendosi që dy të miturit F.B. dhe R.O pjesa e mbetur e dënimit të konvertohet në shërbim prove 4 vjet për secilin me kusht që të mos kryejnë vepër tjetër penale gjatë kësaj periudhe.
Roja i shkollës, Abaz Doku dhe tre djemtë u akuzuan për përdhunimin e një 14-vjeçareje dhe për shantazhimin e saj përmes disa videove intime, të kryera nga 65-vjeçari, i cili më pas ia shpërndau të rinjve. Këta të fundit, përmes kanosjes, përfituan nga e mitura dhe e përdhunuan gjithashtu, njofton “tvklan”.