Përditësimi i fundit në listën e AAK-së, garë e ngushtë me kandidatët e NISMA’s – partia e Limajt shumë afër sigurimit të 3 ulëseve në Kuvend

18 shkurt 2025 | 20:02

Numërimi i votave të kandidatëve për deputetë po shkon drejt fundit, e partitë tashmë veçse i kanë listat se kush prej kandidatëve ka siguruar ulëse në Kuvend. Një garë e ngushtë është në listën e Koalicionit AAK-Nisma për Kosovën, ku partia e Fatmir Limajt është shumë afër sigurimit të tri ulëseve.

Sipas rezultateve që ka siguruar Reporteri.net, deri tash nga kjo listë votat për t’u bërë deputetë i kanë siguruar Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Time Kadriaj, Fatmir Limaj, Bekë Berisha, Arbëresha Krasniqi, Lahi Brahimaj e Albana Bytyqi. Ulësen të sigurt deri tash e kanë vetëm Limaj e Krasniqi nga Nisma, por mundësia mbetet e hapur edhe për një ulëse tjetër.

Garë e ngushtë është mes Albana Bytyqit të AAK’së dhe Xhevahire Izmakut të Nismës, për të siguruar ulëse me kuotë gjinore. Në rast se Izmaku arrinë ta kalojë me votë Bytyqin në fund të numërimit, atëherë koalicioni AAK-NISMA do t’i ndanin 8 mandatet, 5 për partinë e Haradinajt, e 3 për atë të Fatmir Limajt.

Bytyqi numëron deri tash 7 mijë e 969 vota, e Izmaku 7 mijë e 402.

Ramush Haradinaj deri tash ka 34 mijë e 240 vota, Daut Haradinaj 20 mijë e 47 vota, Time Kadriaj 11 mijë e 891 vota, Fatmir Limaj, 18 mijë e 722 vota, Bekë Berisha 11 mijë e 653 vota, Arbërsha Krasniqi 8 mijë e 484 vota.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri sot në orën 16:00, janë numëruar komplet 1,963 kuti në gjithë Kosovën, të dhëna që tashmë janë proceduar në sistem.

Ndërkohë, kanë mbetur ende pa u numëruar 33 kuti në Gjakovë, 7 në Kaçanik, 1 kuti në Mitrovicë të Jugut, 19 në Leposaviq, 14 kuti në Rahovec, 97 në Pejë, 54 në Podujevë, 126 në Prishtinë, 97 në Prizren, 7 në Skenderaj, 50 në Ferizaj. 1 në Viti, 17 në Vushtrri, 12 në Malishevë dhe 14 kuti në Zveçan.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dhënë lajmet më të fundit…