Përdorimi i armëve bërthamore, më pranë se kurrë | Çfarë përmban doktrina e re e firmosur nga Putin
Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi të martën doktrinën e ndryshuar bërthamore, që ul pragun që lejon përdorimin e armëve nukleare.
Në dokument thuhet se, një sulm konvencional ndaj Rusisë nga cilido vend që mbështetet nga një fuqi bërthamore do të konsiderohet një sulm i përbashkët ndaj vendit.
Lajmi vjen pas vendimit të presidentit Joe Biden për të lejuar Ukrainën të godasë objektiva në territorin rus me raketat amerikane me rreze të gjatë veprimi.
Miratimi nga Putin i politikave të reja mbrojtëse bërthamore vjen 1 mijë ditë nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.
Nënshkrimi i doktrinës, që thotë se çdo sulm masiv ajror ndaj Rusisë mund të shkaktojë një përgjigje bërthamore, reflekton gatishmërinë e Putin për të kërcënuar me përdorimin e arsenalit bërthamor në mënyrë që të detyrojë Perëndimin të tërhiqet teksa Moska vijon ofensivën në Ukrainë.